Lajme

Kosovë: Tentimi për ta zgjedhur qeverinë para presidentit, mund të prodhojë problem kushtetues


Selia e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

“Partitë politike në vend fillimisht duhet të procedojnë me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës e më pas me atë të kryeministrit”, ka thënë ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Albanian Post, kur kanë kaluar gati dy javë nga mbajta e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Se kush duhet të zgjedhet së pari – presidenti, apo qeveria – është një tjetër dilemë e demokracisë së re kosovare.

Partitë politike janë të ndara se cila pozitë konsolidohet fillimisht, derisa partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka shpallur Vjosa Osmani nga Iniciativa “Guxo” si kandidate për presidente.

Tjetër kandidat është kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas Hasanit, ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund të mandatojë dikë për të krijuar Qeverinë e re – e momentalisht, Kosova funksionin me ushtruese të detyrës në presidencë.

“Renditja e gjymtyrëve kryesorë të pushtetit që përfaqësohen prej organeve përkatëse të pushtetit në një kushtetutë moderne, flet shumë për karakterin e sistemit politik dhe kushtetues. Në Kosovë kjo renditje nis me organin ligjvënës dhe përfaqësues Kuvendi i Kosovës, vazhdon me shefin e shtetit Presidenti i Republikës, i cili pasohet nga ekzekutivi Qeveria e Kosovës”, theksoi Hasani.

Ai shtoi se përveç Austrisë, të gjitha vendet tjera në Evropë që kanë sistem kushtetues parlamentar kanë këtë renditje të organeve.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Hasani nënvizon se renditja “duhet të respektohet, sepse ndryshe mund të prodhojë problem kushtetues”.

“Mund të përfundon te Gardiani i Kushtetutës, i cili ka për detyrim mbrojtjen e hierarkisë së organeve kushtetuese dhe ruajtjen e karakterit të demokracisë kushtetuese kosovare që për hallkën kryesore në zinxhirin e legjitimuar të organeve ka Kuvendin, që pasohen nga Presidenti i Republikës si mandadues me pushtet të plotë diskrecional, dhe më të cilin ekzekutivi ka përgjegjësi para këtij organi përfaqësues”.

Megjithëkëtë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se edhe pse në të kaluarën Kosova ka ndërtuar praktikë të formimit të qeverisë para emërimit të Presidentit, një qasje e tillë nuk është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese.

Në vitin 2011, Jakup Krasniqi nga cilësia e ushtruesit të detyrës së presidentit e kishte mandatuar Hashim Thaçin për kryeministër.

Një vendim i tillë i Krasniqit, sipas Miftarajt kishte qenë gabim, por që sipas tij nuk duhet të përsëritet prapë.

“Edhe pse në të kaluarën Kosova ka ndërtuar praktikë të formimit të qeverisë para emërimit të Presidentit, një qasje e tillë nuk është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese, që nënkupton se kjo praktikë mund të ndryshohet nga Gjykata Kushtetuese nëse potencialisht mund të atakohet nga partitë opozitare nëse e vlerësojnë”, sqaroi Miftaraj.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje i fitoi 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (17.41%) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (13.08%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore