Kosova

Kosovë: Të reshurat e shiut vështirësojnë disa zona në Drenas


Një veturë e ngecur në rrugë, nga niveli i lartë i ujit në rrugë të fshatit Polluzhë të Drenasit

Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë orëve të vona të së dielës dhe të hënës, kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona, sidomos në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, përkatësisht të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë, por edhe në disa pjesë të tjera.

Komuna e Drenasit ka njoftuar se që nga mëngjesi, ekipet emergjente janë në teren dhe po monitorojnë situatën dhe janë duke intervenuar në ato zona ku niveli i ujit është më i madh.

Nuk ka vërshime në shtëpi banimi, vetëm në disa segmente rrugore, siç është rasti të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë si dhe mbyllje të kanalizimeve.

Komuna e Drenasit, kërkon nga Ministria e Infrastrukturës që të intervenojnë në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, pasi që është në kompetencë të nivelit qendror. Ndërsa fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i shmangen vendeve ku uji ka vështirësuar qarkullimin.

A pritet të ketë vërshime në Kosovë, flasin nga IHMK-ja

Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

Edhe pse mbrëmja e së dielës u karakterizua me reshje të dendura të shiut dhe është parashikuar po ashtu që edhe gjatë ditës së hënë të ketë reshje shiu, në territorin e Kosovës nuk pritet të ketë vërshime.

Në një prononcim për Telegrafin, Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës tha se nga dita e djeshme ka pasur reshje të shiut, dhe se janë duke e përcjell situatën meteorlogjike.

“Jemi tu e përcjell situatën metrologjie që po mbretëron në vend. Prej ditës së djeshme kemi reshje të shiut të cilat me intensitet më të lartë kanë qenë në komunën e Gjakovës, Junikut, Deçanit një pjesë të Klinës, Skenderajt dhe pjesë veriore të Kosovës”, tha Kastrati.

Ai shtoi se pavarësisht kësaj  nuk parashikohet të ketë vërshime në Kosovë.

“Duke e pasur parasysh situatën në të cilën kemi kaluar dhe vera ishte e thatë do të thotë që lumenjtë në kodrat e tyre minimale dhe nuk parashikohet që të ketë asnjë rrezik për rrëshqitje lumore në territorin e Republikës së Kosovës, dhe për këtë shkak nuk pritet të ketë vërshime”, tha ai.

Kastrati shtoi se mund të ndodhë me disa përjashtime të vogla në disa rrjedha të shpejta të lumenjve siç janë ato të lumit Erenik në Gjakovë.

“Përjashtim bëjnë disa rrjedha periferike lumore në pellgun e lumit të Erenikut dhe Bistricës në komunën e Deçanit që mund të kenë vërshime më të shpejta,  kurse në pjesët e tjera nuk do të ketë përmbytje nga lumenjtë”, deklaroi Krastrati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore