Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Të hënën nuk do të ketë mësim në shkollat ku do të ketë votim


Ilustrim.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të hënën më 18 tetor të mos ketë mësim, në ato shkolla ku do të mbahet procesi i votimit të dielën.

“Bazuar në kërkesën e Asociacionit të komunave që me datën 18 tetor (një ditë pas zgjedhjeve lokale ku votimet mbahen në shkolla), të mos mbahet mësimi në shkolla, Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci ka marrë vendim bazuar në këtë kërkesë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Tutje sqarohet se, “me datën 18 tetor 2021 (e hënë) në shkollat ku kanë qenë qendra të votimit do të mbahet vetëm mësimi online sipas variantit C, derisa këtë ditë këto shkollat do të dezinfektohen dhe ajrosen”.

Njoftimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

AKK njofton se në shkollat ku nuk janë mbajtur votimet për zgjedhjet lokale do të vazhdoj puna normalisht.

“Një kërkesë të tillë Asociacioni i Komunave të Kosovës pati adresuar tek Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci për t’i mbrojtur nxënësit nga infektimet e mundshme me virusin e pandemisë Covid19”, thuhet në njoftim.

Në ditën e zgjedhjeve votuesve të cilët do të shkojnë për të votuar, nuk do t’iu kërkohet të dëshmojnë se a janë të vaksinuar, por kjo nuk do të vlejë për komisionerët dhe vëzhguesit, për të cilët masat janë më rigoroze.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore