Shqipëria

Kosovë-Shqipëri, memorandum për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy qeverive Kosovë-Shqipëri, që po zhvillohet në qytetin e Elbasanit, u shpreh se ndërmjet dy ministreve do të nënshkruhet memorandum për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.

“Ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, plotësimi i një ëndrre dhe një pune me rëndësi për bashkimin ekonomik të dy vendeve. Porti i Durrësit do të lidhet me Prishtinën dhe, përmes saj, ky port do të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me korridorin 10”, tha ai.

Aliu theksoi se, nëpërmjet linjës jugore, do të lidhet Hani i Elezit me Shkupit e më tej edhe me Selanikun.

“Do të rritet mundësia e zhvillimit ekonomik për të dy vendet. Aspekti teknik i kësaj hekurudhe është shumë i favorshëm edhe karshi linjave të tjera. Ekzistojnë edhe plane të vazhdimit të korridorit blu, ku Shqipëria lidhet me Kroacinë. E njëjta gjë mund të ndodhë në anë rrugore edhe me Kosovën”.

Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, theksoi se ky memorandum i ndërtimit të hekurudhës, është edhe një ndër hapat më konkretë të dy qeverive.

Kjo, sipas saj, sepse ka një alokim direkt fondesh, në buxhetin e vitit 2022 nga të dy shtetet.

Me rëndësi është edhe bërja pjesë e Shqipërisë dhe Kosovës në korridoret kryesore të lëvizjes brenda Ballkanit. Po ashtu, pritet që projekti të sjellë një nxitje dhe rritje të volumeve të tregtisë.

Sipas saj, vetëm në 10 muajt e vitit 2021, Kosova është vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, e cila shkon në plus 48%.

Një tjetër aspekt me rëndësi, është edhe kthimi i portit të ri të Durrësit në portin turustik ndër më të mëdhenjtë më Mesdhe.

Kjo arritje, nuk u shërben vetëm qytetarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës për ministren.

Në përmbyllje, ajo ka garantuar zotimin e të dy ekipeve qeveritare për të përmbyllur sa më parë projektin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore