Kosova

Kosovë: Paralajmërohen masa të reja ndaj COVID-19


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministria e Shëndetësisë(MSH), të martën, ka njoftuar se ministri, Arben Vitia ka ftuar në takim krerët e institucioneve shëndetësore të vendit për të diskutuar lidhur me zbatimin e masave kundër COVID-19.

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Shëndetësisë, për media thuhet se në takim do të diskutohet për ndërmarrjen e masave të reja anti COVID-19.

“Në këtë takim do të diskutohet për situatën epidemiologjike në vend dhe ndërmarrjen e masave të tjera anti COVID-19”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, ka thënë për Albanian Post se, “sot në orën 18:00 do e kemi takimin me ministrin Vitia, pra do të jemi asociacioni, kryetarët e komunave dhe ministri Vitia”.

Ndërkaq, më 12 gusht, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka njoftuar për caktimin e masave të reja kundër COVID-19.

Ai në një konferencë për media ka thënë se që nga data 12 gusht e vitit 2021 e deri më 10 shtator të të njëjtit vit, hyrja në ambientet e mbyllura do të lejohet vetëm nëse klientët posedojnë dëshmi që janë vaksinuar kundër COVID-19.

“Hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet e ndryshme, grumbullimet, tubimet masive si festivale, koncerte që kanë kapacitet mbi 100 persona dhe organizmi i tyre aktiviteteve lejohet vetëm nëse klientët posedojnë një nga dëshmitë si, certifikatën e vaksinimin të plotë ose marrjen e së paku një doze të vaksinës”, ka thënë Vitia.

Po ashtu, ata do të lejohen edhe në rast se kanë “testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19, ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik IGG i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, dhe në fund test të shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë”.

Në njoftimin e Qeverisë ditë më parë nuk është përjashtuar mundësia që gjatë kësaj kohe të ketë edhe masa të tjera.

“Qeveria vendosi masa të reja, ashtu siç kemi paralajmëruar më parë për shkak se varianti Delta ka qenë dominues në shtetet evropiane, përfshirja e këtij virusi në vendin tonë ka qenë e pashmangshme, dhe kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët”.

Pas vendimit, në institucionet publike ndalohet hyrja pa maska dhe obligohet bartja e maskave në ato ambiente. Kjo është obligative”, u tha në konferencën për media të Qeverisë.

Ndryshe, rritje të rasteve me COVID-19 ka pasur muajt e fundit në Kosovë, ku ditën e martë u konfirmuan 1 mijë e 765 persona të infektuar me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore