Lajme

Kosovë: MSH-ja lanson certifikatën elektronike të vaksinimit


Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se nga e mërkura qytetarët e Kosovës të cilët janë vaksinuar kundër COVID-19 mund të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit nga platforma online eKosova.

Për ta shkarkuar certifikatën elektronike, qytetarët duhet të ndjekin procedurën pothuajse të ngjashme sikurse të caktimit të terminit për vaksinë, duke iu qasur llogarisë në platformën eKosova.

Me këtë rast, ata, pas hyrjes në llogarinë e tyre në eKosova, klikojnë tek rubrika “Pasaporta elektronike e Vaksinimit” ose përmes skanimit të QR kod-it dhe ju shfaqet opsioni “Shkarko”, përmes të cilit shkarkojnë certifikatën.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të mos bëjnë shpenzime duke marrë kartela digjitale të operatorëve dhe individëve të ndryshëm të paautorizuar, sepse të njëjtat nuk janë kartela të vlefshme dhe për më tepër, rrezikojnë të keqpërdorin edhe të dhënat personale të qytetarëve.

Shkarkimi i certifikatës së vaksinimit online.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi ka paralajmëruar se nga dita e hënë e javës së ardhshme të gjithë personat që do të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve do të zbatojnë masat e reja kufizuese.

Sipas Vitisë, ata që frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik.

“Në masat që jemi duke hartuar tani edhe në gastronomi të aplikohet nga data 27 shtator të aplikohen masa kufizuese vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR dhe me test serologjik. Shoqata e Gastronomeve është treguar bashkëpunuese në këtë drejtim. Me këto shifra, një masë e tillë nuk është më pengesë as për sektorin e gastronomisë”, tha Vitia.

Të martën në Kosovë janë konfirmuar shtatë viktima nga Coronavirusi, ndërsa janë regjistruar 173 raste të reja të infektuarve.

Rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 5 mijë e 95 mostrave.

Certifikata digjitale e vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore