Lajme

Kosovë: Masat e reja anti-COVID


Policia e Kosovës duke hequr kufizimet e lëvizjes në sheshet e kryeqytetit

Një ditë më parë, të enjten është mbledhur Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë, për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja.

Në takim është vendosur që të lehtësohen masat e marra gjatë muajit janar.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka bërë të ditur se kanë rekomanduar lehtësim të masave anti-COVID, të cilat do të miratohen të premten ndërkaq të shtunën do të hyjnë në fuqi.

Latifi ka treguar se ora policore do të fillojë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, ndërsa gastronomia do të punojë deri në orën 23:00.

Ndërsa, të gjithë ata që do të hyjnë në Kosovë duhet të dëshmojnë se kanë marrë dy doza të vaksinës.

Ata që kanë një dozë të vaksinës, duhet ta kenë edhe testin PCR.

Po ashtu, maska pritet të hiqet në ambientet e jashtme dhe fitneset të hapen.

Latifi bëri thirrje që çdo veprimtari, së cilës i janë lehtësuar masat, duhet që të pranojnë vetëm ata qytetarë që kanë dy doza të vaksinës.

Vendet evropiane po i heqin kufizimet kundër Covid-19

Janë të vetëdijshëm që pandemia nuk ka mbaruar.

Por meqë sëmundja ngjitëse ka hyrë në një fazë krejtësisht të re, Suedia të enjten iu bashkua vendeve të tjera evropiane për t’i hequr kufizimet shtetërore që u vendosën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Arsyeja e këtij vendimi nga suedezët është e ngjashme me atë në Danimarkë e cila u bë e para në Evropë që më 1 shkurt hoqi të gjitha masat mbrojtëse nga pandemia pas lirimit të ngarkesave në spitale.

Edhe Norvegjia u bë shteti i tretë skandinav i cili hoqi shumicën e kufizimeve për koronavirus, pavarësisht rritjes së shkallës së infektimit si pasojë e variantit Omicron.

Autoritetet pohuan se shoqëria duhet të mësohet të jetojë me virusin.

Maskat në ambientet e jashtme u hoqën më 2 shkurt edhe në Francë derisa i lehtësuan edhe masat tjera.

Por vendosja e maskës vazhdon të jetë e detyrueshme në Itali e cila njoftoi po ashtu të mërkurën  se do të nis me lirimin e masave për të vaksinuarit.

E këtë guxim ende nuk e ka Gjermania.

Ajo ka vendosur të mbajë kufizimet shtetërore të COVID -19 deri në muajin mars.

Madje ministri gjerman i shëndetësisë  ka paralajmëruar se gjërat mund të ndryshojnë nëse variante të reja të koronavirusit zhvillohen.

Ndërkaq në Austri, nga 1 shkurti, ka hyrë në fuqi ligji që e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Në këtë kohë, kufizimet më të ashpra në botë ka nisur ti lehtësoj edhe Zelanda e Re e cila vlerësohet si vendi që menaxhoi më së miri pandeminë

Shteti me 5 milion banor që ka vetëm 54 viktima nga COVID-19,  prezantoi te enjten planin e  rihapjes së kufijve të cilët  ishin të mbyllur për gati dy vjet.

Rregullat e koronavirusit gradualisht i hoqi të gjitha edhe Mbretëria e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore