Kosovë: Lutfi Haziri nuk kandidon për Gjilanin

SHFLETO

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

 

Blerta Ismajli
03.07.2021 20:38
Loading Icons...

Kryetari i Komunës së Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, përfundimisht e ka ndarë mendjen që të mos garojë sërish për kreun e kësaj komune.

Haziri, që është nënkryetar i LDK-së, ka thënë për Albanian Post se nuk ka interesim edhe për një mandat, dhe se do të hap rrugën për një kandidat tjetër.

“Nuk jam i interesuar për edhe një mandat, dhe hapi rrugë për emrin konsesual në parti dhe emrin fitues i zgjedhjeve”, ka thënë Haziri.

Haziri ka treguar se LDK ende nuk ka vendosur për një emër zëvendësues. Por, procesi për gjetjen e tij ka filluar.

“LDK në Gjilan ende është në debatin e saj të brendshëm lidhur me kandidaturën për mandatin e Kryetarit. Konventa e Degës do të mbahet pas vizitave në terren dhe Arbër Ismajli po udhëheq me këtë proces në emër të strukturave të LDK-së në Gjilan”, ka thënë Haziri për Albanian Post.

Pas përfundimit të luftës në gusht të vitit 1999, Lutfi Haziri u zgjodh nënkryetar i Komunës së Gjilanit.

Në zgjedhjet e para të pas luftës në vitin 2000 ai e fitoi garën për kryetar të Gjilanit ndërsa në karrigen e kryetarit qëndroi katër vjet, deri në dhjetor të vitit 2004.

Në zgjedhjet e vitit 2013 kishte arritur të fitonte 25 mijë e 703 vota apo 59.99 për qind të votave.

Haziri në vitin 2013 ishte në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa.

Në zgjedhjet e vitit 2017 sërish shkoi në balotazh ku ishte në garë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshin.

Ai sërish e kishte fituar garën duke e siguruar edhe mandatin e tretë si Kryetar i Komunës së Gjilanit me 21 mijë e 261 vota apo 63.81 për qind.