Kosova

Kosovë: Letrat “kërcënuese” të Prindon Sadriut


Letra e dërguar nga Presidentja Osmani drejt Ganimete Musliut, përmes së cilës ajo thotë se u kërcënua (Dokument)

Nga adresa e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, është dërguar një letër në adresë të Deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Por, këtë letër nuk e ka shkruar Presidentja.

Bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, ka zgjedhur këtë formë komunikimi me një nga deputetet e Kuvendit të Kosovës për të “qëruar hesapet”.

“Këtë kërkim falje duhet ta bëni në nivel dhe hapësirë të njëjtë me atë ku edhe keni bërë shpifjen”, ka shkruar Prindon Sadriu duke i kërkuar deputetes Musliu që të kërkojë faje për një deklaratë të saj rreth punësimit të tij.

“Dhe ta bëni menjëherë” duke shtuar se kjo kërkim falje nuk duhet të bëhet “më vonë se 20 korrik 2021”.

Dhe pika e dytë “kërcënuese” në letrën e bashkëshortit të presidentes thotë se do të padis deputeten Musliu, “me një padi civile për shpifje”.

Zotëriu i parë i shtetit, shkruan në letër se pret “reagim të plotë ndaj kërkesave” të tij.

Sadriu shqetësimin e ka ndaj një intervistë në T7, ku Musliu kishte thënë se “( Prindon Sadriu) është Ambasador me korrespodencë”.

“Ai nuk është rezident ambasador në Shkup. Për çdo ditë Shkup – Prishtinë endet. Ai nuk është ambasador rezident. Atë e vuri në pozitë bashkëshortja e tij. Bashkëshorti i presidentes nuk guxon që ta keqpërdorë detyrën dhe pozitën e tij çfarëdo”.

 

Letër nga bashkëshorti i presidentes Osmani, ka pranuar edhe Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Floretë Zenjullahu.

Njëjtë edhe në adresë të Floretë Zejnullahut, letra ka shkuar nga adresa e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Me “letër paralajmëruese për shpifje”, Prindon Osmani ka paralajmëruar deputeten Floretë Zenjullahu që ka pranuar një kërkesë për “kërkim falje” dhe “padi për shpifje”.

“Familja presidenciale e Vjosa Osmanit po e trajton Kosovën si monarki. Përderisa kjo familje nga buxheti i shtetit, brenda një viti merr para më shumë se çdo qytetar i Kosovës. Bashkëshorti i saj ( Prindon Sadriu), i cili tashmë është avancuar në diplomaci…a nuk quhet kjo gjakderdhje financiare”. Presidentja Osmani ka deklaruar se tashmë ka blerë shtëpi në lagjen më luksoze të Prishtinës ‘Marigona Hill’. Sot Kosova ka një presidente, që e bën burrin Ambasador e ai qëndron më shumë në Prishtinë.

Këtë deklaratë të cituar nga Sadriu, Prindoni e ka quajtur politikisht të ndikuar, të pa vërtetë dhe shpifëse.

Prindon Sadriu,ka kërkuar nga deputetja Zejnullahu që “së pari të bëni një kërkim falje publike me shpifjet që keni bërë”, pasi që sipas tij deputetja në fjalë nuk ka as një fakt për “avancimin” e tij në shërbimin e jashtëm.

Së dyti, thekson Prindon Sadriu “ju shpifni kur deklaroni se paga ime është paga më e konsoliduar në Kosovë, aq më pak nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës”.

Dhe së treti, Prindoni akuzon për shpifje deputeten se “ju nuk posedoni as një ose vlerësim se lagjia Marigona Hill është lagjia më luksoze në Kosovë”.

“Këtë kërkim falje duhet ta bëni në nivel dhe hapësirë të njëjtë me atë ku e keni bërë shpifjen dhe ta bëni menjëherë, por jo më vonë se 15 gusht 2021”.

Dhe në fund të kësaj letre Sadriu ka paralajmëruar deputeten Zejnullahu se do të paraqesë padi civile për shpifje.

 

Në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se është kërcënuar nga bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, përmes një letre e cila është dërguar në emër të presidentes.

“Në letrën e tij më është caktuar një afat për të kërkuar falje, më pas do të pasonte padia civile ndaj meje me kërkesën për kompenzim dëmi sepse i është prishur imazhi.  Se kuptoj dot kujt ia kam dëmtuar imazhin, diplomatit të Kosovës, rezervistit ushtarak, zotëriut të parë apo kujt tjetër?”.

Ndërkohë, Musliu gjatë seancës plenare të dy gushtit në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se ka pranuar këtë letër kërcënimi nga bashkëshorti i Presidentes së Kosovës.

“Për çudi letra përmbante një kërcënim për padi civile, arsyeja e përmendur në këtë letër ishte se unë në një nga televizionet paskam thënë se ai është ambasador me korrespodence dhe që atë e ka bërë ambasador bashkëshortja e tij”, ka thënë Musliu.

Deputetja e Musliu është drejtuar edhe Presidentes Osmani, duke thënë se presidenca nuk shërben për familjarë.

“Vjosë e nderuar, juriste, presidenca nuk është për t’i shërbyer ty dhe familjes tënde. Meqë burri juaj më kërcënon mua me padi civile pse paskam thënë të vërtetën, unë po ju pyes juve në çfarë cilësie ma dërguat letrën e tij ju si presidente, një letër pa nënshkrim?”.

Në po këtë seancë edhe deputetja edhe deputetja tjetër e PDK-së, Floretë Zejnullahu ka deklaruar se është kërcenuar nga bashkëshorti i Presidentes Vjosa osmani.

Zejnullahu ka treguar se është kërcënuar nga Sadriu përmes një letre, pasi kjo kishte folur për pasurinë e familjes së tyre.

“Kërcënimet e tij vijnë menjëherë pas publikimit të fakteve ndaj tij dhe jetës luksoze që ai dhe bashkëshortja e tij bëjnë. Bashkëshorti i presidentes ndoshta ka menduar që përmes këtij kërcënimi do të frikësohem dhe do të heshti”.

“Por nga këtu i bëjë me dije atij dhe bashkëshortes së tij se keni gabuar adresën e personit të cilën keni menduar ta frikësoni, e ta shantazhoni”, ka thënë Zejnullahu.

Ajo ka paralajmëruar se Prindon Sadriun do ta padisë për kërcënim.

“Nga kjo foltore dua ta njoftoj publikisht bashkëshortin e presidentes se do ta padis në organet e drejtësisë për kërcënimin e tij ndaj meje menjëherë pas kësaj seance”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore