Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: KQZ të shtunën shpall rezultatet përfundimtare të balotazhit


Numërimi i votave në KQZ.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se të shtunën do të shpallë rezultatet përfundimtare të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur me 14 nëntor.

“Tashmë ka mbetur që të shtunën të marrim konfirmimin nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kjo do të thotë se KQZ-ja mund të shpallë rezultatet përfundimtare të rundit të dytë gjatë ditës se shtunë”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Pas përmbylljes të gjitha proceseve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ është në pritje të konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përmbyllur të gjitha proceset në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, në mesin e të cilave është numërimi i votave jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja e rrethana të veçanta”.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ndërkaq, i pyetur për Komunën e Dragashit, Elezi shprehet se nëse ka ndonjë çështje ende të pavendosur nga PZAP-ja, dhe se do të procedojnë me komunat e tjera në të cilat nuk ka ndonjë ankesë.

“Natyrisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë konfirmimin nga ky institucion nëse ka ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur dhe mbi bazën e kësaj përgjigje do të veprojë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

Elezi ka shtuar se, “nëse ka ndonjë çështje të pavendosur akoma, atëherë KQZ-ja mund të procedojë me pjesën tjetër të komunave për të cilat nuk ka ndonjë ankesë”.

Me 14 nëntor, në 21 komuna është zhvilluar rundi i dytë i zgjedhjeve lokale pas atyre që u mbajtën me 17 tetor në tërë territorin e Kosovës.

Komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj. Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore