Kosova

Kosovë: Konfiskohen 82 kilogramë substancë narkotike, arrestohen gjashtë persona


Policia e Kosovës konfiskon 82 kilogramë substancë narkotike

Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 82 kilogramë substancë narkotike dhe ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale.

Kështu ka njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ku thuhet se operacioni i policisë është bërë në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit.

“Arrestimi i personave të dyshuar është bërë mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale, blerja, posedimi shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, mbajtja nën kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve, prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore dhe pa banderolë si dhe shmangia nga pagesat e detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit kompetent është bërë edhe kontrollimi i katër lokacioneve, prej tyre dy banesa të banimit, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Fushë Kosovë, si dhe dy shtëpi në Gjilan së bashku me një objekt përcjellës, të cilat dyshohet se “grupi në fjalë i kanë përdorur për fshehje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për kontrabandë të barnave me origjinë të dyshimtë”.

Gjatë realizimit të kontrollit në cilësi të provave materiale në lokacione të ndryshme janë gjetur të fshehura në vende dhe mjete të ndryshme.

“82 kilogramë e 914 gramë, 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve, 1 pushkë gjuetie me 35 predha (fishekë) si dhe dy qese najloni të mbushura me barot dhe sfera për municion të armës së gjuetisë. 1 armë e gjatë ‘AK- 47’ me një karikator, 1 revole ‘TT’ me një karikator dhe 6 predha (fishekë), 1 dylbi e armës së gjatë, 174 predha (fishekë), 5 vetura të ndryshme, 15.774,50 € si dhe 20 franga zvicerane e barna të llojeve të ndryshme”, vijon njoftimi.

Personat e dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore