Lajme

Kosovë/Komisioni për Buxhet nuk e miraton raportin vjetor financiar të ZRrE-së


Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk është miratuar raporti vjetor financiar i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2020.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, gjatë mbledhjes së këtij komisioni.

“Ky komision nuk e voton dhe nuk e rekomandon miratimin e raportit vjetor Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, ka thënë Muja.

Anëtari i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Izet Rushiti, gjatë mbledhjes së komisionit ka thënë se buxheti i ZRrE-së është shkurtuar.

“Buxheti i ZRrE-së është shkurtuar rreth 112 mijë euro, e kjo ka ndodhë si pasojë e mos shpenzimit të tij. Në vitin 2020 ZRrE-ja ka realizuar të hyra rreth 1 milion e 370 mijë euro. 473 mijë janë kryesisht paga sepse mëditje nuk ka, kurse te mallra e shërbime 184 mijë dhe janë shpenzuar 168 mijë”, ka thënë Rushiti.

Rushiti ka bërë të ditur se Zyra Rregullatorit të Energjisë Elektrike nuk ka bord që nga 15 dhjetori i vitit 2020.

“Nga 15 dhjetori nuk ka Bord të kompletuar, dy anëtarëve të bordit iu ka kaluar mandati, tash jemi vetëm dy dhe nuk jemi Bord funksional … Deri tash jemi të pakompletuar”, ka thënë Rushiti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka pyetur anëtarët e Bordit për pagesën e energjisë elektrike në vlerë prej 10 milionë eurove për komunat në veri.

“Kuvendi ka marrë një vendim për të ndarë 10 milionë euro për shpenzimet e energjisë në veri. Por ZRrE mbikëqyrë edhe KOSTT-in dhe sektorin e energjisë. Janë vendime të Bordit që lejojnë shpenzimet që i bëjnë ndërmarrjet ose agjencitë në fushën e energjisë. Si është marrë vendimi që të paguhen këto 10 milionë euro nga ana e ZRrE-së kur nuk ka Bord funksional”, ka thënë Hoti.

Anëtari i Bordit, Izet Rushiti, iu ka përgjigjur deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit.

“Ne nuk kemi marrë vendim që KOSTT ta paguan atë shumë sepse vendimin e ka marr Bordi i KOSTT-it”, ka thënë Rushtiti.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka pyetur se a është funksion Bordi.

“Për mu është me rendësi se a funksionon Bordi, që sa muaj nuk keni fuqi ekzekutive dhe si i keni marr vendimet ku për mu nuk ekziston Bordi”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa kundër mëditjeve ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.

Ai është marr me çështjen e pagesave, duke thënë se  punëtorët e ZRrE-së, kanë paga të larta dhe nuk do të duhej të merrnin mëditje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore