Lajme

Kosovë: Nëntë të arrestuar dhe 11 të paraburgosur për marrje e dhënie ryshfeti


Prokurori i Shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 11 personat të cilët kanë kryer vepra penale si “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dhënia e ndihmës në kryerjen e veprave penale si dhe marrja e dhënia e ryshfetit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Kosovë, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

Masa e paraburgimit është kërkuar për personat e ndaluar pas një aksioni të policisë së Kosovës më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit.

Nga bastisja e realizuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet  S.Sh., L.S., H.M., B.N., K.Z. dhe A.U., është kërkuar të paraburgosen pas dyshimit se kanë kryer veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Katër të dyshuarit tjerë me inicialet D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., kërkohet të paraburgosen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” derisa S.S., për “dhënie të ndihmës ndaj kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

“Personi me inicialet A.N., më 24 shkurt është shoqëruar në stacionin policor, por më vonë është liruar”, vijon njoftimi.

Prokuroria Themelore ka njoftuar po ashtu se nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar rreth 433 mijë euro.

“Konfiskohen rreth 433 mijë e 160 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, tetë vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi lidhur me rastin në fjalë ka treguar se gjatë një operacioni janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente në vazhdën e realizimit të Planit Operativ ‘’Subvencioni 2021’’, edhe sot kanë ndërmarr veprime tjera operative dhe hetimore që ndërlidhen me rastin dhe gjatë operacionit janë arrestuar edhe nëntë (9) persona të tjerë”, thuhet në njoftim.

Personat janë arrestuar në lokacione të ndryshme, ku tre prej tyre janë arrestuar në komunë e Istogut, dy persona në komunën e Lipjanit, një person në komunën e Ferizajt, një person në komunën e Prishtinës dhe dy të tjerë në komunën e Pejës.

Policia e Kosovës ka treguar se të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerr në koordinim të ngushtë me prokurorin e shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit, në një konferencë për media, bashkë me Drejtorin e Krimeve Ekonomike, ka deklaruar se grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave ka nisur qysh në muajin janar.

“Në bazë të provave të grumbulluara dhe informacioneve që kemi ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme me qëllim që të sigurojmë prova të fuqishme për t’i zhvilluar hetime dhe për të pasur aktakuzë të suksesshme”, pati thënë Aleksandër Lumezi.

Nazim Sahiti, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur që nga muaji janar.

“Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve, ku siç tha edhe kryeprokurori, ato janë përmendur gjatë gjithë kohës derisa ne kemi zhvilluar hetime”, ka deklaruar ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pret hetim të plotë pas aksionit policor.

“Fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka thënë Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.

Ndërsa ministri në detyrë i bujqësisë, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se kërkon nga organet e hetuesisë ta çojnë deri në fund këtë rast.

“Aksionet si ky i sotmi, duhet të përjetohen si ditë të mira, ku qartësohen gjërat dhe ku drejtësia kryen punën e saj”, ka thënë mes tjerash ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore