
Në fshatin Gjurgjedell të Kaçanikut është identifikuar rruga e njohur si “Rruga e rimit”.
Anëtarët e shoqërisë alpiniste “Kaçaniku” për shenjëzimin e shtigjeve të ecjes, kanë ftuar studiuesin e arkeologjisë, Hajredin Ramajli që të bëjë një përshkrim për një pjesë të shtigjeve.
Ramajli gjatë vizitës së tij me alpinistët vendor në shtegun e ecjes në fshatin Gjurgjedell, has në një segment të rrugës, që mendohet se është rrugë antike dhe që lidhet me toponimin e njohur si “Rruga e Rimit”.
Sipas Arkeologut nga Instituti Albanologjik, Arianit Buqinca, kjo rrugë është antike.
Ndërsa, në Komunën e Kaçanikut, thonë se “Rruga e rimit” dihej prej kohësh si gojëdhënë, por jo edhe se ku saktësisht gjendet.
Lidhur me identifikimin e kësaj rruge, Drejtori për Kulturë, Arsim dhe Rini, Zahir Dodaj ka thënë se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht.
Duket se ky lokalitet arkeologjik i cili lidhet me rrugën antike nuk është i njëjti me “Gjytetin” e fshatit apo “Gradishtën”, të njohur më parë në Hartën Arkeologjike të Kosovës.
Ndërsa së fundi një rrugë antike është identifikuar edhe në fshatin Verboc të Komunës së Drenasit.
/Albanianpost.com