Lajme

Kosovë – hidhet gurthemeli i fabrikës ku do të punojnë personat me nevoja të veçanta


Në Komunën e Lipjanit është vendosur gurthemeli i fabrikës së letrës.

Aty do të përpunohet letra dhe prodhimi i saj, ndërsa të punësuar do të ketë vetëm persona me aftësi të veçanta.

Shaqir Palushi, financues i këtij projekti dhe njëkohësisht pronar i kompanisë “Frutex”, tha se kjo fabrikë, “do të jetë ndërmarrje sociale, e cila do të kushtojë 1 milion euro dhe mjetet do të financohen nga kompania Frutex”.

“Ky projekt do të jetë unik për të treguar se si këta persona mund të jenë punëtorë të mirë, menaxher të mirë, por jo barrë për familjet e tyre”, është shprehur Palushi.

Më tej, ai thotë se ky është edhe një mesazh për institucionet, “që të bëjnë më shumë për punësim të këtyre personave”.

Projekti pritet të përfundojë brenda tetë viteve të ardhshme dhe numri i të punësuarve do të startojë me 30 veta, por që do të rritet në vazhdimësi.

“Do të jemi të kujdesshëm në përzgjedhje të punës, sepse është parësore shëndeti i tyre. Projekti për ndërtim u përshtatet nevojave dhe standardeve për këta persona”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori i “Handikos”, Afrim Maliqi, tha se ky është një veprim i mirë, jo vetëm për personat me aftësi të kufizuar, por edhe për institucionet, të cilat duhet të vetëdijesohen.

“Jo vetëm pse është person me aftësi të kufizuar të punësohet, por të shikojmë pozitat që u përshtaten atyre profileve. Ky është veprimi më i mirë i zotëri Palushit. Gjendja e personave me aftësi të kufizuara është jashtëzakonisht e vështirë, prandaj kjo është një nismë që do të përmirësojë jetën e personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, e vlerësoi këtë ditë si të veçantë dhe u shpreh i gatshëm për të mbështetur realizimin e kësaj fabrike.

“Përveç se është specifike, po ndodh një inovacion i investimit të bizneseve. Do ta kenë mbështetjen tonë, edhe kompania për të filluar punën, dhe urojmë sa më parë të realizohet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që po ndërtohet për persona me nevoja të veçanta”, ka thënë kryetari Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore