Lajme

Kosovë: Gjendja socio-ekonomike larg të dëshiruarës


Gjendja sociale-ekonomike në Kosovë

Një shoqëri karakterizohet nga mirëqenia sociale e saj. Ndërsa në Kosovë rastet sociale janë shumë të larta.

Mungesa e vendeve të punës është njëra ndër shkaqet kryesore të numrit shumë të lartë të rasteve sociale.

Sipas informatave zyrtare, në Komunën e Mitrovicës Jugore, çdo i shtati banor është përfitues i skemës së ndihmës sociale.

Drejtoresha e Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Fitore Behrami në Komunën e Mitrovicës së Jugut, për Albanian Post ka thënë se gjendja socio-ekonomike në këtë komunë nuk qëndron mirë si rezultat i problemit politik dhe çështjes së sigurisë.

“Gjendja e përgjithshme sociale dhe ekonomike është jo e mirë dhe kjo për faktin se, dihet mirëfilli i problemeve që e rëndon Komunën e Mitrovicës në veçanti duke u bazuar në atë, politik e të sigurisë nga pas lufta e këndej, ndërsa Si QPS mund të ju konfirmojmë se, kërkesat e qytetarëve për ndihmë janë në nivel të lartë”.

Behrami ka thënë se në këtë komunë aktualisht nën asistencën sociale janë 2 mijë e 350 familje.

“Aktualisht janë 2350 lëndë aktive, në skemën e asistencës sociale”.

Komuna e Mitrovicës së Jugut përkatësisht Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka bashkëpunuar ngusht me akterët relevant duke bërë zgjidhje edhe për çështjen e banimit.

“Konsiderojmë se Drejtoria e DIEMS-it ka bashkëpunuar ngusht me QPS dhe ka dhënë kontributin e saj në trajtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve në nevojë duke përfshirë këtu edhe çështjen banimit”.

Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” ndihmon me pako ushqimore dhe higjienike 100 familje në nevojë në Mitrovicë

Ndërsa në Komunën e Gjakovës situata qëndron më mirë se sa në Komunën e Mitrovicës së Jugut, mirëpo gjendja sociale vazhdon të jetë e rëndë.

Në këtë komunë sipas informatave zyrtare, çdo i 23-ti banor është përfitues i ndihmës nga skema sociale.

Lidhur me gjendjen socio-ekonomike në Gjakovë, Albanian Post ka kontaktuar Drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Aferdita Spahiu-Shllaku.

Ajo thotë se sipas të dhënave zyrtare për muajin korrik-2021 në këtë komunë gëzojnë ndihmë sociale mbi 1 mijë familje.

“Sipas te dhënave zyrtare te cilat i kemi për muajin e fundit Korrik-2021, në komunën tonë gëzojnë ndihmë sociale 1014 familje, me numër te banorëve 4086”.

Sipas drejtoreshës Spahiu-Shllaku pavarësisht situatës me pandeminë COVID-19, në këtë komunë numri i rasteve sociale ka qenë në rënie.

“Edhe për kundër situatës së krijuar gjatë dy viteve të fundit me pandeminë Covid-19, trendi i familjeve për ndihmë sociale në komunën tonë nuk ka qenë i rritur por gjithnjë ka qenë pothuajse i përafërt me numrin e cekur më lartë”.

Ajo ka thënë se në vitet e fundit numri i të punësuarve të atyre që ishin përfitues të skemës sociale është në rritje.

“Gjatë tri viteve te fundit për dallim prej viteve tjera kemi familje të cilat janë punësuar e kanë gjetë veten në tregun e punës dhe nuk kanë pasur nevojë më për ndihmë sociale, po ashtu kemi edhe familje të cilat e kanë gëzuar pensionin e veteranit të luftës dhe me automatizëm janë larguar nga skema sociale”.

Gjatë pandemisë përveç institucioneve komunale, sipas drejtoreshës Spahiu-Shllaku, në ndihmë familjeve me asistencë sociale në vazhdimësi iu kanë dalë edhe organizatat e ndryshme vendore e ndërkombëtare të cilat edhe i ka falënderuar për këtë kontribut të çmuar.

Mirëpo, drejtoresha Spahiu-Shllaku ka thënë se të dhënat zyrtare, se çdo i 23-ti banor është përfitues i ndihmës nga skema sociale, nuk qëndrojnë, por nuk ka treguar se cilat të dhëna janë të sakta.

“Konsiderojmë se te dhënat e juaja që i keni cekur se çdo i 23 ti banor është përfitues i asistencës sociale nuk qëndrojnë në Komunën e Gjakovës!”.

Mungesa e tregut të mirëfilltë të punës

Sociologu Jeton Brajshori ka thënë se në Kosovë ka probleme të shumta të cilat lidhën me gjendjen sociale. Ai konsideron se institucionet nuk kanë punuar mjaftueshëm për të krijuar një treg të qëndrueshëm të punës në vend.

Protestë për vende të punës-Prishtinë

Ai gjithashtu hedh dyshimin se “qeveritarët mund të jenë përfitues”.

“Mungesa e tregut të mirëfilltë të punës, që vjen si pasoj e mos menaxhimit të mirë nga të gjitha qeveritë, të cilat nuk arritën që të krijojnë kushte dhe politika ekonomike për investitorë të huaj, me siguri që qeveritarët ose përfitojnë për vete ose janë të kapur nga bizneset e shumta të cilat nuk lejojnë që kompani të huaja të futen në tregun tonë”.

Ngritja e çmimeve është një problem tjetër i cili lidhet direkt me gjendjen sociale në vend përkatësisht i shërben rëndimit të gjendjes ekonomike.

“Në qoftë se kjo do të arrihej atëherë edhe papunësia do të zbutej, por edhe çmimet do të ishin më të lira për shkak të konkurrencës, dhe kjo direkt do të ndikonte për të mirë në mërqinjën e qytetarëve”.

Kosova si shteti më i varfër dhe më i izoluar në Evropë normalisht që edhe shkallën e asistencës sociale e ka më të lartë, konsideron Brajshori.

“Situata kishte me qenë edhe më e rëndë po të mos ishin remitencat nga diaspora të cilat janë infuzion për ekonominë tonë të brishtë!”

“Liberalizimi i vizave do të ndikonte shumë në zvogëlimin e numrave (të rasteve sociale) për shkak se qytetarët do të mund të shkonin dhe të kontraktonin ndonjë vizë pune ku edhe të ardhurat e tyre do të ishin më të mira!”

Punëdhënësit nga ana tjetër, veçanërisht ata të gastronomisë, sipas Brajshorit, nuk paguajnë orët shtesë madje edhe paguajnë shumë dobët dhe në shumë raste nuk lidhin kontrata me të punësuarin. Kjo sipas tij krijon një zinxhir deri te të hyrat e shtetit, andaj “nëse vazhdohen me këtë trend të neglizhencës së këtyre problemeve nga shteti, rastet do të shkojnë dhe do të rritën edhe më shumë!”.

Edhe për sociologun Ferdi Kamberi, çështja e varfërisë, është një ndër çështjet me të cilat preokupohet shoqëria kosovare qysh herët.

Ai konsideron se ky problem është i trashëguar prej kohësh.

“Varfëria është bartur brez pas brezi deri në ditët e sotme dhe që akoma vazhdon të jetë plagë e pashërueshme e shoqërisë kosovare”.

Kosova edhe pse konsiderohet si vendi më i varfër në Evropë, së fundi ka pasur një rritje të GDP-së së përgjithshme.

Sipas të dhënave nga Banka Botërore për vitin 2021 del se “shtetet e Ballkanit kanë pasur një rritje të vogël të GDP-së, Mali i Zi 7.1%, Serbia 5.%, Shqipëri 4.4%, Kosova 4.0%, Maqedonia Veriore 3.6% dhe Bosnja e Hercegovina 2.8%”.

GDP sipas Bankës Botërore – Kosova ka një rritje prej 4.0%

Kamberi thotë se “pavarësisht kësaj rritjeje të vogël e cila kryesisht ndërlidhet edhe me rritjen e remitencave nga diaspora e cila është infuzioni kryesor (sidomos gjatë periudhës së COVID-19), Kosova si shtet ende në tranzicion ballafaqohet me probleme dhe sfida të theksuara që nga ato politike e deri tek ato të natyrës socio-ekonomike”.

Shkalla e lartë e papunësisë është reflektuesi më i madh në rritjen e varfërisë, si dhe “migrimi i fuqisë punëtore në vitet e fundit, dalin të jenë disa nga faktorët kyç në rritjen e vazhdueshme të varfërisë”, thotë Kamberi.

Mungesa e investimeve të huaja

Sipas sociologut Kamberi së fundi në rritjen e varfërisë në vend por edhe në shtetet e tjera “ka ndikuar po ashtu edhe shpërfaqja e pandemisë globale e COVID-19 e cila sidomos shtetet e vogla i ka dërguar drejt një kolapsi ekonomik”.

Gjendjen e rëndë socio–ekonomike në Kosovë sipas Kamberit tregon edhe mungesën e investimeve të huaja.

“Numri i madh i skemave të ndihmës sociale në vend, përveç që është barrë për shtetin, është edhe një indikator tjetër se numri i lartë i personave me ndihmë sociale paraqet gjendjen e brishtë socio–ekonomike në vend dhe njëashtu është indikator për mungesë të investimeve direkte të huaja në vend”.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), përderisa në tremujorin e katërt të vitit 2020 shihet se nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 mijë e 679 familje, me gjithsej 103 mijë e 189 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale, familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, kanë përfituar 2 mijë e 436 familje.

Kurse në tremujorin e dytë të vitit 2021 shihet se ky numër është rritur për 126 familje më shumë.

25 mijë e 805 familje me gjithsej 102 mijë e 958 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar gjithsej 2 mijë e 496 familje.

Rajonet më të prekura ose me numrin më të lartë të rasteve që përfitojnë nga skema sociale janë ai i Mitrovicës, i pasuar nga rajoni i Prishtinës, dhe ai i Ferizajt.

Kërkesa e lartë për punë – Foto në Prishtinë

Marrëveshjet bilaterale për shkëmbimin e resureve humane

Sociologu Kamberi konsideron se në këtë stad është e nevojshme të hartohen politika publike si dhe të bëhet stimulimi i punësimit përmes pakove ekonomike (të cilat tashmë kanë filluar si masa të rimëkëmbjes si rezultat i pandemisë) por edhe krijimi i një “strategjie për lobim tek vendet të cilat hezitojnë të liberalizojnë vizat”.

Marrëveshjet bilaterale për shkëmbimin e resureve humane janë një prej faktorëve që mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes soci-ekonomike.

“Krijimi i marrëveshjeve me shtetet të cilat Kosova ka raporte të mira për shkëmbimin e resurseve humane me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve njerëzore dhe rritjes socio–ekonomike”.

Një politikë që duhet të zhvillohet nga institucionet është edhe çështja e profilizimit të fuqisë punëtore, thotë Kamberi.

Krijimi i një strategjie të re, e cila do të fokusohej në profilizimin e fuqisë punëtore, sepse Kosova ka nevojë për profilizime profesionale (zanate), ndërlidhja në mes të edukimit, profilizimit (aftësimit) dhe tregut të punës, stimulimi i bizneseve në vend përmes pakove të ndryshme”.

Albanian Post lidhur me gjendjen e rëndë sociale pyetje ka dërguar edhe në Komunën e Obiliqit, të Lipjanit, Podujevës dhe disa komuna të tjera të cilat kanë numër shumë të lartë të rasteve sociale, mirëpo (ende) nuk ka marr përgjigje nga to.

Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës së 25 gushtit ka marr vendim që të ndajë 7 milion euro për lehonat dhe shtesat e fëmijëve, mirëpo nuk janë dhënë detaje të mëtutjeshme për këtë çështje.

370 milionë euro për vitin 2021 janë të dedikuara sipas Ligjit për buxhet për ndihma sociale dhe kategori të tjera që përfitojnë nga buxheti i shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore