Lajme

Kosovë: Fushata zgjedhore rriti rastet me COVID, partitë politike s’i paguajnë gjobat për thyerje të rregullave


Logot e partive politike në Kosovë

Drejtori i Inspekcionit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka treguar për Albanian Post se gjatë tubimeve të fushatave zgjedhore në Kosovë, janë shqiptuar “gjithsejtë 20 gjoba për partitë politike”.

Tahiri ka thënë se “deri më tani asnjë subjekt politik nuk e ka sjellë dëshminë e fletëpagesës”.

Afati i pagesës, sipas nenit të 30-të në Ligjin për Kundërvajtje, “nuk mund të jetë më i shkurtër se pesëmbëdhjetë ditë, dhe më i gjatë se nëntëdhjetë ditë nga data e formës së prerë të vendimit”.

Ndërsa në rastet e arsyeshme, varësisht nga lartësia e dënimit me gjobë dhe gjendja ekonomike e të pandehurit, “organi i kundërvajtjes apo gjykata mund të përcaktojë që sanksioni kundërvajtës, i shqiptuar me gjobë të paguhet në këste, por që afati i pagesës nuk mund të jetë më i gjatë se gjashtë muaj”.

Po ashtu, Tahiri thotë se pas kalimit të afatit, varësisht nga data e gjobës “këto dënime procedohen te përmbaruesi”.

Ai ka treguar edhe shumën e gjobave për secilën parti veç e veç, ku sipas të dhënave kryeson Lëvizja Vetëvendosje, duke u gjobitur me 14 mijë euro, për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID gjatë periudhës së fushatës parazgjedhore dhe zgjedhore.

Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar me 10 mijë euro, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat janë gjobitur me nga gjashtë mijë euro.

Kurse subjektet politike si Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate, janë dënuar me nga dy mijë euro.

 

Infektologu Ilir Tolaj: Mos-respektimi i masave anti-COVID gjatë fushatës rriti rastet e infektimit

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë dhe i vdekjeve po vazhdon të rritet, pak javë pas fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku partitë politike nuk kishin respektuar masat anti-COVID e për çfarë kishin marrë edhe gjobat nga inspektoratet.

“Rritja e numrit te rasteve të reja me Covid-19 gjatë ditëve të fundit, padyshim se i referohet fushatës zgjedhore gjegjësisht atyre tubimeve pa asnjë masë anti-Covid”, ka thënë për Albanian Post, infektologu Ilir Tolaj.

Megjithatë, duke marrë parasysh se në Kosovë tashmë është krijuar “një shkallë e kënaqshme” e imunitetit kolektiv kundër Coronavirus, Tolaj thotë se duhet pranuar faktin se ky shtim i rasteve të reja “është më i vogël sesa që mund të pritej”.

Po ashtu, ai ka treguar se organizmi i infektuar me virusin SARS CoV2 është infektiv dy ditë para se të shfaqen simptomat dhe rreth shtatë ditë pas shfaqjes së simptomave.

Prandaj për këtë arsye edhe “rekomandimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), tani janë që izolimi i një personi i cili eventualisht ka pasur ndonjë kontakt potencial me një të infektuar, të jetë 10 ditë”, përfundoi Tolaj.

Albanian Post ka analizuar katër javët e muajit shkurt, ku sipas numrave të rasteve të IKSHP-së del qe janë rritur tej mase rastet dhe nga java e parë deri në javën e fundit të shkurtit mesatarja e rasteve pozitive rritet për 170 raste.

Në bazë të statistikave, nga data një shkurt e deri më shtatë shkurt, gjatë kohës kur kanë nisur edhe fushatat zgjedhore në Kosovë, mesatarja për javë për të infektuarit me Covid-19 është rreth 230 raste në ditë.

Në krahasim me javën e dytë që përfshinë periudhën nga data tetë shkurt deri më 14 shkurt, mesatarja për javë është rritur nga 230 në 245 raste.

Ndërkaq nga data 15 shkurt deri më 21 shkurt, mesatarja arrin të ndryshohet nga 245 në 291 raste, dhe kjo mesatare deri në javën e fundit të shkurtit ka arritur të rritet në rreth 400 raste në ditë.

Sa i përket numrit të rasteve të vdekjes, brenda muajit shkurt rreth 97 persona kanë humbur jetën nga Coronavirusi, ndërsa numri i të shëruarve është rreth shtatë mijë e 206.

Gjatë kësaj jave është mbajtur edhe mbledhja nga ministri i Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja, të cilët kanë vlerësuar situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, ku tregohet se është shënuar rritja e rasteve në dy javët e fundit për 7.7 për qind.

Sipas përfaqësuesve të IKSHPK-së, rekomandohet rigorozitet i masave për të ndalur trendin e rritjes së rasteve me virus.

Ndërsa, sa u përket vaksinave, Ministria e Shëndetësisë është duke pritur kontingjentin e parë të vaksinave dhe është e gatshme që posa të vijnë, të zbatohet strategjia e vaksinimit anti-COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore