Kosova

Kosovë: Bashkimi Evropian uron Kurtin për detyrën e re


Pas zgjedhjes së tij si kryeministër, Albin Kurti, ka pranuar urimet nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, përmes urimit të tij drejtuar Kurtit, në llogarinë e tij në Twitter, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm midis BE-së dhe Kosovës.

“Urime Kryeministrit të sapo zgjedhur të Kosovës, Albin Kurti. Gati për të thelluar bashkëpunimin BE-Kosovë për një qeveri të hapur dhe efektive që adreson me shpejtësi çështje me rëndësi jetike për Kosovën. Bashkimi Evropian në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë progresin e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj”, ka shkruar ai.

Kurti ka pranuar edhe një urim tjetër nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i cili në postimin e tij në Twitter ka thënë se BE pret që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses.

“Presim të punojmë së bashku për ta sjellë Dialogun Beograd-Prishtinë në një mbyllje të suksesshme. Kjo është thelbësore. BE mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, ka shkruar Borrell.

 

Një urim të ngjashëm ka bërë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përmes urimit të tij ndaj Kurtit, ka thënë se çështje më e urgjente është mposhtja e pandemisë së COVID-19.

“Ne shpresojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më urgjentisht, për të mposhtur COVID-19”, ka shkruar ai.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, përmes një urimi në Twitter, ka shprehur mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës.

“Urime kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti. Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane dhe në luftën me pandeminë COVID-19”, ka shkruar Kurz.

Po ashtu, edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e ka uruar Kurtin për detyrën e re.

“Ne e përgëzojmë Kryeministrin e sapo zgjedhur Albin Kurti dhe Kabinetin e tij si dhe anëtarët e rinj të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkruhet në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane, në Facebook.

Në urimin e Ambasadës thuhet se Qeveria e Kurtit mund të llogarisë në mbështetjen e Gjermanisë, dhe se Kurti ka disa “çështje urgjente përpara për tu trajtuar”.

“Ju mund të mbështeteni në miqësinë dhe mbështetjen e Gjermanisë”, shkruhet në këtë urim.

Të hënën më 22 mars, Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, u zgjodh kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Bashkë me Kurtin janë votuar edhe 15 ministrat e qeverisë së re “Kurti 2”.

Ai u zgjodh kryeministër pas një fitore të paprecedentë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 50 për qind të votës popullore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore