Lajme

Kosovë: Arrestohet një person për kontrabandë të shtatë emigrantëve sirianë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka arrestuar një person i cili është kapur në rajonin e Vërmicës duke kontrabanduar me një automjet shtatë emigrant nga Siria.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të policisë së Kosovës.

“Patrulla policore menjëherë ka reaguar, ka arritur ta ndalojë automjetin që drejtohej nga i dyshuari: E.G., (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar) dhe në automjet hasen shtatë emigrantë (pesë meshkuj, një femër dhe një fëmijë) nga Siria”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, sqarohen edhe rrjedhojat e ngjarjes.

“Patrulla policore për mbikëqyrje të kufirit në rajonin e fshatit Vërmicë, në ora 06:30, të datës 08.01.2022, ka vërejtur lëvizje të dyshimta të një veture me targa vendore, lëvizjet e së cilës ka vazhduar t’i monitorojë”.

Ky automjet thuhet se, “është ndalur në nënkalimin e autostradës (në Vërmicë) dhe është vërejtur se nga mali kanë dalë dhe kanë filluar të hipin në automjet disa persona”.

Kontrabandë me emigrantë sirianë, foto nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, për rastin bëhet e ditur se automjeti dhe personat janë shoqëruar për në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Vërmicë, për vazhdimin e procedurave, “gjegjësisht inicimit të rastit ‘kontrabanda me emigrant”.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me aktvendim të të cilit i dyshuari dërgohet në mbajtje, me emigrantet vazhdohet sipas procedurave lidhur me raste të tilla, kurse automjeti konfiskohet”, shtohet tutje në njoftimin e PK-së.

Ndërsa, më 5 qershor, pas një hetimi disa mujor janë arrestuar 20 persona nga rajoni i Mitrovicës Jugut dhe Prizrenit, nën dyshimin e kryerjes së veprës “kontrabanda me emigrantë”.

“14 prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa gjashtë të tjerë me shtetësi nga vendet e lindjes Iraku, Siria dhe Palestina”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq si rezultat i hetimeve të mëhershme nga Sektori i Hetimeve i Departamentit Policisë Kufitare dhe me asistimin e njësive tjera mbështetëse të PK-së, janë kryer kontrolle në 10 lokacione: Shtëpi, hotele dhe objekte përcjellëse.

Gjithashtu, në muajin qershor pas një hetimi disa mujor kishte arrestuar 20 persona nga rajoni i Mitrovicës Jugut dhe rajoni i Prizrenit, nën dyshimin e kryerjes së veprës “kontrabanda me emigrantë”, ku14 prej tyre ishin shtetas të Kosovës, ndërsa gjashtë të tjerë me shtetësi nga vendet e lindjes: Iraku, Siria dhe Palestina.

Më 27 gusht, po ashtu zyrtarët e stacionit të policisë kufitare në Han të Elezit, kanë ndaluar një kamion mallrash ku kanë gjetur të fshehur pesë emigrant sirian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore