Lajme

Kosovë: Arrestohen dy zyrtarë të MPJD-së dhe MPB-së


Prokuroria Themelore në Prishtinë

Katër persona janë arrestuar nga organet e rendit dhe sigurisë mbi dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit” dhe “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Dy nga të arrestuarit sipas Prokurorisë, janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), që dyshohet se kanë marrë ryshfet duke e keqpërdorur pozitën zyrtare.

Këtë e ka bërë të ditur Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion pranë Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Të ndaluarit janë me inicialet J.H., A.F., B.G. dhe H.H., ky i fundit për “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Ilustrim

“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit të lëshuara nga prokurori i rastit, janë arrestuar katër të dyshuarit nga Policia e Kosovës dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë nën këtë masë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me autorizimet ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore