Lajme

Kosovë: 65 persona të vdekur në 51 aksidente


Ilustrim

65 persona kanë vdekur në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në 51 aksidentet me fatalitet të cilat kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës.

Këto shifra janë evidentuar gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Albanian Post.

Ky vit karakterizohet me rritje të numrit të aksidenteve me fatalitet, ka treguar nënkoloneli Jeton Rexhepi, i cili operon në Policinë Rajonale të Prishtinës.

Rexhepi bëri të ditur se, “Në vitin 2020 ka pasur më pak qarkullim edhe për shkak të pandemisë, por krahasuar me vitin 2019 deri në muajin korrik, ka shtatë aksidente më shumë me fatalitet këtë vit”.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021 kanë ndodhur 4 mijë e 171 aksidente me lëndime, numri i personave të lënduar nga këto aksidente është 8 mijë e 43 persona. E numri i përgjithshëm i aksidenteve deri tani është 11 mijë e 418.

Sipas Rexhepit, në muajin korrik kanë humbur jetën nëntë persona në trafik.

“Edhe pse ky vit ka qenë me numër më të madh me aksidente me fatalitet, muaj korrik ka qenë muaji me më së paku viktima që nga viti 2002.

Ai deklaron se ka faktorë të shumtë pse po ndodhin aksidente, “mosrespektimi i kufizimit të shpejtësisë, tejkalimi në vendet e ndaluara dhe shkelje tjera të trafikut. Policia e Kosovës që nga fillimi i vitit ka pasur plane operative për kontrollin në trafik”, ka thënë ai.

Por ka përmendur edhe patrullimin me dron, si një nga format të cilat e kanë ndihmuar Policinë në kontrollin e trafikut.

Rexhepi theksoi se në 24 orë janë shqiptuar diku rreth 1 mijë e 100 gjoba në trafik.

Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është ofrimi i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik.

Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës në vazhdimësi “APELON te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore