Kosova

Kosovë: 21 milionë euro subvencione për të gjitha kulturat bujqësore


Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural këtë vit do t’i subvencionojë me 21.6 milionë euro disa kultura bujqësore përmes Programit për pagesa Direkte.

Kategoritë që do të përfitojnë janë kryesisht gruri, thekra, tërshëra, misri, luledielli etj.

“Pagesa direkte për sipërfaqet e mbjella të grurit dhe sasinë e prodhuar/dorëzuar të grurit, për sipërfaqet e mbjella të farës së grurit, për sipërfaqet e mbjella të thekrës për sipërfaqet e mbjella të tërshërës, për sipërfaqet e mbjella të misrit, për sipërfaqet e mbjella  të lulediellit, për vreshtat ekzistues”, kanë thënë nga zyra e mediave në MBPZhR për Albanian Post.

Po ashtu në program për subvencionim janë edhe frutat e imëta, bimët mjekësore e rrushi.

“Pagesa direkte për verë të prodhuar dhe deklaruar zyrtarisht, për pemishtet ekzistuese, për sasinë e dorëzuar/shitur të frutave të mjedrës, për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore dhe hardhisë së rrushit për sipërfaqet e mbjella  me perime, për bimët mjekësore dhe aromatike / BMA”.

Sipas MBPZhR, pagesa do të ketë edhe për bujqësi organike dhe pagesa direkte për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, mollës, kumbullës, rrushit.

“Po ashtu pagesa direkete do të ketë edhe për lopë dhe buallica qumështor, dele, dhi, bletë 2, për qumështin sipas kategorive të cilësisë për pulat vojse, për thëllëza, dosa në riprodhim për therjet e raportuara të gjedhit  Pagesa direkte për akuakulturë dhe pagesa për viçat për majmëri”.

Përfituesit për secilën kategori, sipas Ministrisë së Bujqësisë, është e pamundur të dihen tani “sepse kjo varet nga numri i aplikuesve pas përfundimit të periudhës për aplikim (dt. 28 shtator 2021), plotësimit të kritereve, dokumentacioneve, si dhe kontrollës në terren dhe krejt në fund përgatitet lista e përfituesve, e cila edhe bëhet publike edhe në ueb faqet zyrtare të MBPZhR-së dhe AZhB-së”.

Ligjëruesi në Fakultetin e Bujqësisë, në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, ka thënë për Albanian Post se deri më tani pagesat direkte nuk kanë dhënë indikator të duhur.

Rusinovci konsideron se duhet të bëhet monitorim më i mirë dhe mjetet të shkojnë tek fermerët e duhur.

“Shuma prej 21.6 milonë euro për bujqësinë vendore që parashihet (duke pasur parasysh mundësitë buxhetore të vendit), duhet të monitorohet me përpikëri dhe mjetet duhet të kanalizohen tek fermerët e duhur, meqë kemi pamjaftueshmëri të prodhimit vendor dhe import marramendës, madje edhe për prodhimet strategjike të cilat dukshëm më shumë mund të prodhohen në kushtet tona agro-ekologjike”, ka thënë Rusinovci.

Sipas tij, pagesat e drejtpërdrejta konformë kritereve të mirëfillta, do të ndikonin dukshëm në shtimin e prodhimit vendor dhe uljen e shkallës së madhe të importit.

“Nëse nuk ndryshojnë kriteret për benifitet që duhet t’i gëzojnë fermerët, nuk pritet ndonjë rezultat pozitiv, në raport me vitet paraprake”, ka thënë Rusinovci.

Në Kosovë kultura bujqësore më e kultivuar është gruri, e që këtë vit kanë qenë 68 mijë hektarë të mbjellura, sipas  të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, e që mbulojnë rreth 60 për qind të nevojave vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore