Kosova

Kosova të përgatitet për destabilizimin e ardhshëm të veriut, rekomandon instituti amerikan


Ilustrim

Situata në veri të Kosovës mund të përkeqësohet edhe më tej, thuhet në një raport të publikuar nga instituti amerikan për strategji dhe politika “New Lines” këtë javë, i cili vitin e kaluar lansoi programin analitik “Observatori i Ballkanit Perëndimor”, ndërsa gjithashtu paralajmërohet për mundësinë e infiltrimit të trupave serbe në Kosovë nën pretendimin e ruajtjes së rendit.

Në raportin e institutit amerikan përmenden tensionet gjithnjë e në rritje midis Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit kosovar. Në këtë raport vlerësohet se përkundër që dislokimi i njësiteve të specializuara policore në zonat e banuara me shumicë serbe solli disa rezultate, nuk është zgjidhje e qëndrueshme, prandaj duhet një qasje tjetër.

“Në thelb, mbajtja e një pranie të lartë të njësiteve të specializuara policore në veri të Kosovës, nuk është një qasje e duhur dhe qeveria duhet të gjejë një zgjidhje më të qëndrueshme që njeh nevojat e komunitetit lokal serb në veri”, thuhet në raport, derisa jepen edhe disa rekomandime për autoritetet vendimmarrëse që ta adresojnë drejtë situatën e sigurisë në veri.

“Kosova duhet të nxisë partneritetet ndërkombëtare dhe të sigurojë mbështetje për modernizimin e mbrojtjes. Kosova duhet të rrisë angazhimin me NATO-n dhe të koordinojë çdo përgjigje për shqetësimet e sigurisë që burojnë nga veriu i Kosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë”, rekomandojnë ekspertët e sigurisë dhe mbrojtjes, por assesi të llogaritet në forcat speciale.

Një rekomandim tjetër për autoritetet kosovare është zhvillimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për të riintegruar veriun në kornizën e sigurisë së Kosovës, duke adresuar çështjet e besimit në mesin e komunitetit serb dhe rreziqet e mundshme të infiltrimit të trupave ushtarako-policore serbe, pasur nga përgatitja për destabilizimin potencial të veriut në të ardhmen.

“Kosova duhet të zhvillojë plane emergjence në bashkëpunim me NATO-n dhe komunitetin ndërkombëtar për të adresuar përpjekjet e mundshme destabilizuese, veçanërisht në përgjigje të tensioneve në rritje. Kjo gatishmëri duhet të përfshijë përgjigje strategjike ndaj ngjarjeve si sulmi terrorist në Banjë, duke siguruar mbrojtje të fortë ndaj ndikimeve destabilizuese”.

E në vorbullën e zhvillimeve aktuale, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale, intelegjenca amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i dhunës në Ballkanin Perëndimor edhe përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të vendit që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore