Kosova

Kosova tash e 6 vjet me Gjykatë Speciale


Janë bërë gjashtë vite që kurë Deputetët e Republikës së Kosovës i thanë “Po” Gjykatës Speciale, në tentimin e dytë për ta kaluar atë.

Më 3 gusht të vitit 2015 Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, nga 117 deputet sa ishin prezentë në sallë, votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Këto vota nga Kuvendi i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës atë kohë, Kadri Veseli, hapi seancën e Kuvendit në të cilën pika e vetme e rendit të ditës ishte miratimi i ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale.

Në këtë seancë pati shumë diskutime, replika e kundër replika.

Opozita e asaj kohë, Vetëvendosje, ishte kundër votimit të kësaj Gjykate, duke e quajtur të padrejtë, selektive dhe e cila do ta cenojë sovranitetin e vendit. Ndërsa pozita, atë kohë e vlerësonte “të padrejtë por të domosdoshme” për t’i hequr dyshimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e fundit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte në Kosovë tashmë ka ngritur aktakuzat e para në mesin e të cilëve janë edhe ato kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit.

Deklarimet e deputetve

Kadri Veseli që aktualisht është duke u dënuar në Hagë, në Kuvendin e kësaj dite pati bërë thirrje për të votuar ndryshimet kushtetuese të cila i jepnin jetë Gjykatës Speciale.

“Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, ishte shprehur Veseli

Kryetari i Nismas, Fatmir Limaj kishte thënë se kësaj gjykate i mungojnë argumentet e themelimit.

“Nuk po votojmë ligj por po votojmë dënim. Kush e ka lexu ligjin, e sheh këtë”, ishte shprehur Limaj.

Ish deputetja e opozitës atëkohë nga radhët e Vetëvendosjes, tash Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e tre gushtit të vitit 2015, i ftoi deputetët që të mos votojnë ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

“Në qoftë se edhe një herë të vetme kanë pasur të veshur uniformen e UÇK-së, nëse vetëm edhe një herë kanë marrë frymë në petkun e asaj uniforme, mos e votoni themelimin e gjykimit të asaj në emër të së cilës luftuat”.

Ndërsa Glauk Konjufca ishte shprehur se “askund në botë nuk formohet një gjykatë vetëm për njërën palë në konflikt”.

Ish shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në arsyetimin e tij se përse e mbështeste votimin e kësaj gjykate tha se “do të ndodh një e keqe, por do të ndërpritet një e keqe shumë më e madhe, nëse e bëjmë të kundërtën”.

Pro ishte edhe shefi i qeverisë atë kohë, Isa Mustafa.

“Kosova nuk mund të ndërtohet dhe zhvillohet duke u izoluar nga vendet mike. Përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë dhe mbetet qenësore për Kosovën”, ishte shprehur Mustafa.

Duke i ftuar deputetët që të lënë “ato përralla për premtime të ndërkombëtarëve sepse jemi mësuar me to”, Ramush Haradinaj nga AAK kishte kërkuar që kjo gjykatë të mos votohej.

Dick Marty

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç u emërua me ligj si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan Clint Williamson, kishte kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve.

Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore