Lajme

Kosova, shteti i ligjeve të kopjuara


Ilustrim

Bazuar në deklarimet e zyrtarëve përgjegjës për zhvillim të legjislacionit, Kosova nuk zhvillon ligje, vetëm kopjon, përshtat dhe përkthen.

Sipas kësaj, ligjvënësi sa herë që gjendet në situatë të pafavorshme për mbrojtje të legjislacionit, deklaron se ligji është model slloven, kroat, skandinav, gjerman, anglez.

Prandaj, Gjyqtari në Gjykatën e Apelit, Hasan Shala, thotë për Albanian Post se ligjet aktuale kanë nevojë për ndryshim dhe se duhet zgjedhje e personelit edhe për përshtatjen e tyre.

“Ligjet janë jo mirë, as nuk zgjidhet personeli i një fushe të caktuar, për shembull nëse kemi të bëjmë me ligj për kundërvajtje duhet të shkojmë të marrim pjesë në hartimin e atij ligji, gjyqtarët që janë me më përvojë për kundërvajtje, me me profesionalizëm”, thotë Shala për AP.

Duke shtuar se, “problemi qëndron aty se ne nuk jemi duke ditur t[i përshtatim ligjet, e pastaj sigurisht që nuk mund as të hartojmë ligje të reja”.

“Ligjet tona merren zakonisht nga kodi austriak, i cili konsiderohet si njëri nga kodet më të këqija në botë”, tregon Shala.

Ilustrim.

Por, thotë se ka profesionistë të fushave të caktuara të cilët mund ta zgjidhin këtë çështje.

“Për rregullimin e ligjeve na duhen disa profesionistë, pak gjyqtarë, pak profesorë në atë komision për hartimin e ligjit, deputetë dhe atëherë me përgatit edhe lektorë, pasi lektori është shumë më rëndësi për hartimin e një ligji”.

Kurse juristi Muhamet Kelmendi, deklaron për Albanian Post se ligjet kërkohet t’iu përshtaten rrethanave ekonomike, shoqërore e historike të shtetit.

“Marrja e ligjeve nga shtetet tjera dhe futja e tyre në procedure parlamentare, votimi dhe nënshkrimi nga Presidenti, pa asnjë intervenim është shumë i dëmshëm”, shprehet Kelmendi për AP.

Sipas tij, ndërtimi i legjislacionit në Kosovë është një ndër punët më të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës.

“Një çështje e tillë e degradon shtetin dhe e bënë jo funksional, përveç pushtetit ekzekutiv e gjyqësor, kjo është detyra më e rëndësishme e deputetëve”.

Nevojën për ligje dhe ndryshimin e tyre, e sqaron Kelmendi duke thënë se “për funksionimin e shtetit mendohet se në minimum janë 300 ligje të nevojshme”.

“Sa ligje janë aktualisht në Kosovë nuk kam të dhëna, por e dhëna kryesore që dihet deri tash është mos përshtatja e ligjeve në nivel funksional”.

Ai konsideron se ligjet e futura vetëm me përkthim, pa iu nënshtruar intervenimit për t’i përshtatur me vendin, sipas rrethanave nuk kanë mundësi të zbatohen.

“Nëse zbatohen vetëm probleme krijojnë, çdo shtet i ka rrethanat e veta të veçanta dhe dalluese nga shtetet e tjera. Është kultura e veçantë, zhvillimi ekonomik, e kaluara dhe jeta tjetër, sikundër edhe rrethanat shoqërore e sociale. Edhe ligjet kërkohen të jenë adekuate me rrethanat që i ka vendi e shteti”.

Ndryshe, ligjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane dhe ato për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit, janë konsideruar si më të rëndësishme që duhet të miratohen nga Kuvendi i Kosovës brenda një periudhe sa më të shpejtë kohore.

Njohësit e fushës së drejtësisë konsiderojnë se pa një bazë të mirë ligjore të standardizuar dhe funksionale në kuptimin e zbatimit të ligjeve do të paraqiten pengesa në funksionimin e institucioneve të caktuara në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore