Kosova shtet pjesëmarrëse në OSBE, Carpenter: Kjo mund të ndodh, pres me padurim atë ditë

SHFLETO

Michael Carpenter

 

Dreni Himbeqa
07.05.2022 12:17
Loading Icons...

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Carpenter, është për të ardhur keq fakti se si Kosova nuk është anëtare e këtij organi, dhe se sipas tij SHBA-të e presin me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së

“Kjo mund të ndodhë”, ka shkruar Carpenter në letrën ku ka publikuar komentet e tij sa i përket raportit të shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Carpenter, në letrën e tij ka shtjelluar faktin se organizimi zgjedhjeve lokale në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar nga Komisioni Qendror Zgjedhjor pa ndihmën e OSBE-së ishte një arritje e rëndësishme për Kosovën dhe vetë institucionin.

Ambasadori i SHBA-ve në OSBE, ka vlerësuar gjithashtu faktin që misioni i OSBE-së në Kosovë, ka shprehur gatishmëri për të mbështetur pjesëmarrjen e serbëve me të drejtë vote në Kosovë në zgjedhjet e Serbisë.

“Ne inkurajojmë prioritizimin e vazhdueshëm të përpjekjeve të ekipit tuaj për demokratizimin, së bashku me qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore në qeverisjen vendore”, thuhet në letrën e Carpenter e publikuar në faqen zyrtare të Misionit të SHBA-së në OSBE.

Carpenter më tej ka bërë të ditur se misioni i SHBA-ve në OSBE ka monitoruar nga afër incidentet në Veriun e Kosovës, ku së fundmi u sulmuan zyrtarët Policor të Kosovës, të cilat sipas tij duhet të hetohen tërësisht.

“Këto sulme ndodhën ndërsa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne paralajmëruam se jemi kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”.

“Shtetet e Bashkuara kërkojnë paqe, drejtësi dhe prosperitet në një Kosovë që është plotësisht e integruar në bashkësinë ndërkombëtare dhe pjesë e një Evrope të lirë”.