Kosova shpreson se “ndërmjetësimi i pabarabartë” do të marrë fund pas ardhjes së Kallasit në krye të diplomacisë së BE-së
Kaja Kallas
Armat Matoshi
01.09.2024 19:59Rikonfigurimi në udhëheqjen e Bashkimit Evropian (BE) në vjeshtën e këtij viti, përkatësisht konfirmimi i ish-kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në krye të diplomacisë evropiane, ka bërë që krerët institucionalë në Kosovë të shpresojnë që politika aktuale e BE-së – të cilën e vlerësojnë të pabalancuar – do të ndryshojë, veçanërisht në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën globale të sigurisë “Globsec” në Pragë të Çekisë, më 31 gusht, ka thënë se procesi i dialogut, i cili aktualisht ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nuk do të ketë sukses përderisa nuk kthehet barazia dhe ekuilibri në tavolinën e negociatave diplomatike Prishtinë-Beograd.
“Unë besoj shumë se jemi në një situatë ku duhet të rikthejmë barazinë në tavolinë. Nëse palët trajtohen në mënyrë të barabartë, ne mund të kemi sukses, dhe besojmë se me ardhjen e shefes së re të politikës së jashtme të BE-së – barazia do të kthehet në tavolinë… por duhet të presim disa muaj”.
Gjithashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për shtyp në Prishtinë, më 1 korrik, deklaroi se edhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përgjatë gjithë mandatit ka favorizuar Serbinë, duke punuar kundër interesave shtetërore të Kosovës.
“Sa i përket Borrellit e Lajçakut, unë kam parë se ata nuk kanë vepruar sipas standardeve evropiane… preferencat e tyre individuale kanë pasur ndikim të madh në mënyrën se si ata e kanë formësuar procesin e dialogut. Dhe një prej pasojave të kësaj qasjeje ka qenë favorizimi i padiskutueshëm i Serbisë në këtë proces negociator”, potencoi para dy muajsh kryekuvendari kosovar.
“Gjithmonë ka qenë njëfarë justifikimi dhe relativizimi i përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës… Prandaj, jam shumë shpresëdhënës për ardhjen e Kallasit në krye të politikës së jashtme të BE-së”, shtoi ndër të tjera shefi i legjislativit kur është pyetur për pritshmëritë nga lidershipi i ri.
Një ndër kritikat kryesore ndaj Borrellit ka qenë se ai bashkë me Lajçakun vijnë nga dy shtete të BE-së që akoma nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja dhe Sllovakia – përkundër se ata nuk kanë ndërmjetësuar dialogun në emër të shteteve përkatëse, por të dy kanë përfaqësuar qëndrimet e BE-së.
Në një tekst autorial të botuar në fund të qershorit, në prag të përfundimit të mandatit, shefi aktual i diplomacisë evropiane kujtoi se zotimet që kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se kush vjen në krye të të BE-së.
“Ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të përparojë vetëm në bazë të gatishmërisë së të dy palëve. Ndërmjetësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”, nënvizoi Borrelli në një përmbledhje të mandatit.
E për vëzhguesit e dialogut, emërimi i kryeministres së parë grua të Estonisë në pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri është një lajm shumë pozitiv për Kosovën, duke qenë se ajo është një kritike e zëshme e Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkanin Perëndimor.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pastaj për planin e sekuncimit më 18 mars në Ohër. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.