Sport

Kosova shkon në Rumani për fitore – “na duhen pikët”


Kosova synon që t’i mbajë gjallë shpresat për kualifikim në Kampionatin Evropian që do zhvillohet në Gjermani në vitin 2024 në rast fitoreje ndaj Rumanisë këtë të martë në stadiumin “National Arena” të Bukureshtit.

Pas barazimit me Zvicrën të shtunën, Dardanët synojnë që t’i arkëtojnë tri pikët e para pas katër barazimeve dhe një humbjeje dhe ta përmirësojnë pozitën në renditjen e grupit I, ku ndodhen në vendin e 5-të me vetëm 4 pikë të grumbulluara pas 5 ndeshjeve.

“Kosova synon të kthehet me rezultat pozitiv nga ky udhëtim”, ka insistuar selektori i Kosovës, Primozh Gliha, në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën mbrëma.

Gliha ka thënë se personalisht pret një ndeshje të fortë duke pasur parasysh se si Rumanisë ashtu edhe Kosovës i duhen pikët, derisa ka shtuar se “gjithçka do të varet nga paraqitja jonë”.

“Është një ndeshje e rëndësishme. Jam i sigurt se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi ne kemi nevojë për pikë e po ashtu edhe Rumania ka nevojë për pikë. Besoj se shikuesit do ta shijojnë ndeshjen”, është shprehur Gliha.

Megjithatë, ai e ka pranuar se Rumania është favorite për vendin e dytë në grup, por ka thënë se edhe Kosova ka gjasat e saj në këtë ndeshje.

“Kemi përballë një kundërshtar të fortë, i cili në radhët e veta ka shumë lojtarë të mirë. Por, edhe ne kemi gjithashtu lojtarë të mirë, të cilët luajnë për klube të mëdha. Për ne është e rëndësishme të luftojmë dhe të jemi të disiplinuar, pasi vetëm kështu mund të marrim rezultat të favorshëm”, është shprehur Gliha.

Ndërsa mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, është shprehur i bindur që Dardanët do japin gjithçka në fushë për të arritur fitore, por është shprehur i vetëdijshëm se rumunët kanë skuadër të fortë.

“Ne do të japim gjithçka nga vetja për rezultat pozitiv dhe të tentojmë të sigurojmë kualifikimin në Evropian”, ka theksuar Vojvoda.

Ndërkaq ndeshja e parë ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë, e zhvilluar në muajin qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pati përfunduar pa gola.

Rumunët aktualisht janë në pozitën e dytë në Grupin I, me 9 pikë, derisa Kosova është në kuotën e 4 pikëve.

Para kësaj përballje të dyja ekipet barazuan si vendase; Rumania kundër Izraelit (1:1), derisa Kosova kundër Zvicrës (2:2).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore