Kosova s’duhet të shndërrohet “strehë për kriminelët”, marrëveshja me Danimarkën sjellë “standarde të dyfishta”
Burgu i Gjilanit, ku do të vuajnë dënimin të burgosurit nga Danimarka.
Altina Marmullaku
21.05.2024 9:51Qeveria e Kosovës, të hënën miratoi projektligjin e njëjtë për ratifikimin e një Trakti, që kishte arritur me Danimarkën për strehimin në burgjet kosovare të burgosurve nga Danimarka, disa ditë pas dështimit të Kuvendit për ta ratifikuar atë – megjithatë kjo marrëveshje po vazhdon të kundërshtohet kjo për shkak se mund të krijohen “standarde të dyfishta” tek të burgosurit, e Kosova mund të bëhet “strehë për kriminelët”.
Institucionet e Kosovës, është thënë se do ta informojnë zyrtarisht Danimarkën për dështimin e ratifikimit në Kuvend të këtij Traktati, për të cilin këto dy vende kishin arritur marrëveshje fillimisht në vitin 2021.
Ministria e Drejtësisë në disa deklarata ka thënë se mospërkrahja e kësaj marrëveshje do të cenojë rëndë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës – por, që për njohësit e çështjeve të drejtësisë, kjo marrëveshje s’do të duhej të bëhej fare.
“S’kemi njohur për strukturën e të burgosurve, mund të ketë rrezikshmëri”
Për ish ministrin e parë të Drejtësisë në Kosovë, Jonuz Salihaj, marrëveshje përveç se është vonuar rrezikon që të cenoj edhe të drejtat e të burgosurve të Kosovës.
Ai në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thekson se burgjet e Kosovës, akoma s’kanë kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar këtë marrëveshje.
“Realizimi i marrëveshjes me Danimarkën, është vonuar dhe mund të dështoj pasi nuk i ka marrë votat e nevojshme në Parlamentin e Kosovës. Vlerësoj, se kjo marrëveshje nëse zyrtarizohet do të cenoj të drejtat e të burgosurve tonë, kjo pasi që burgjet tona nuk i kanë arritur standardet evropiane”, thotë Salihaj për AP.
Nga këndvështrimi i tij, ministria e Drejtësisë do të mund të hulumtonte për forma të tjera për të siguruar buxhet më të lartë.
“Ne nuk kemi njohuri për strukturën e të burgosurve që do t’i popullojnë këto 300 çeli të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, gjegjësisht shkallën e rrezikshmërisë së tyre. Buxhetit të Kosovës, i nevojiten para, por ka forma të tjera – si realizimi i investimeve kapitale, e jo forma të tilla me risk të lartë që mund të kenë pasoja për sigurinë e vendit”.
“Marrëveshja s’ka pikë logjike”
Këshilltari i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, njëherësh edhe juristi Anton Nrecaj, në një bisedë për Albanian Post thotë se këtë marrëveshje e sheh si jo të duhur për një sërë arsyesh.
Sipas tij, faktori i parë që s’do të duhej ta lejonte një marrëveshje të tillë është distanca mes Kosovës dhe Danimarkës.
“Në rast se do të ishin shtete fqinje këto marrëveshje do të lejoheshin, mirëpo distanca mes Kosovës dhe Danimarkës është shumë e lartë. Kosova, po ashtu ka një kornizë ligjore që e rregullon çështjen e burgjeve dhe të burgosurve. Të sillen të burgosurit që janë të dënuar për vepra penale të rënda dhe të vuajnë burgun në Republikën e Kosovës kjo nuk ka asnjë pikë logjike”, thotë Nrecaj për Albanian Post.
Meqë, marrëveshja s’po pezullohet, Nrecaj ka një kërkesë për institucionet.
“Të burgosurit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me kushtet që janë dhe në situatën e tillë të burgosurit që do të sillen nga Danimarka do të kenë kushte më të mira sesa të burgosurit në Kosovë”.
Ai thekson se pas zbatimit mund të ketë pasoja të mëdha në raport me të burgosurit e Kosovës dhe atyre të Danimarkës.
“Pasoja mund të shkaktohen në sistemin e drejtësisë duke i dhënë benefite më shumë të burgosurve nga Danimarka, kjo do t’i shtyjë të burgosurit në Kosovë që të kërkojnë nga Qeveria që të trajtohen barabartë sikurse të burgosurit që do të qëndrojnë në Gjilan”.
“Kështu, do të thotë s’mund të ketë kritere të dyfishta për të burgosurit, sepse korniza ligjore e jona e rregullon shumë mirë këtë çështje”, shton ai duke theksuar se dallimet mund të bëhen duke nisur nga “ushqimi e nevojat elementare”.
“Çështja të marr epilog”
Avokati Ardian Bajraktari, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post tregon se kjo marrëveshje ka edhe një aspekt pozitiv.
“Çështja e interesimit të Danimarkës, por edhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian rreth mundësisë së marrjes së ndonjë qendre korrektuese për shfrytëzim nga ana e Kosovës, është një dëshmi se sa i përket kushteve nëpër qendrat korrektuese si dhe qendrat e paraburgimit në vendin tonë, ato janë në nivel të mirë dhe në pajtim me standardet”.
Ai sqaron se përfitimet do të jenë kryesisht tek aspekti financiar, por edhe në drejtim të thellimit dhe avancimit të raporteve të bashkëpunimit me shtetin danez.
Por, që në anën tjetër Bajraktari kritikave u jep të drejtë, kjo për shkak se sipas tij tashmë ka ardhur koha që kjo temë të marr një epilog.
“Sa i përket kësaj, kundërshtimet dhe reagimet janë të drejta, në bindjen time, kjo çështje duhet të marr epilog, nëse nuk arrihen votat e nevojshme, prej 2/3, apo 80 sa kërkohen për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, nënkupton se nuk ka gatishmëri për një gjë të tillë”, deklaron ai për AP.
Megjithatë, pranimi i marrëveshjeve të ngjashme si kjo me Danimarkën, s’do të ishte e mirë për Kosovën.
“Ndërsa, sa do të ishte e dëmshme për institucionet tona korrektuese burgjet, mbetet të shihet në të ardhmen, por një gjë duhet pasur parasysh, që të mos vazhdohet me raste tjera, sepse, nuk mund të shndërrohemi në vend strehim të kriminelëve, nga vendet e tjera”.
Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?
Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.
Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.
Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.
Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.
Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.
Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.