Kosova

Kosova rrezikohet nga barnat e falsifikuara – kërkohet që të mos blihen nga interneti


Ilustrim.

Përmes takimit me temën “Parandalimi i barnave të falsifikuara: Fakte dhe shifra”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është thënë se brenda një viti në botë vdesin rreth 1 milionë njerëz nga barnat e falsifikuara.

Në këtë takim u theksua se edhe Kosova është njëri ndër vendet që rrezikohet nga barnat e falsifikuara.

Kryesuesi i Hulumtimit, Zhvillimit ‘Hoffman – La Roche’ , Pius Waldmeier, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që t’i mbrojnë pacientët nga këto barna.

Sipas tij, tema e falsifikimit të barnave është globale.

“Ne nuk mund ta ndalojmë falsifikimin në gjithë botën, por mund të kontrollojmë zinxhirin e furnizimeve tona dhe ne mundohemi ta bëjmë zinxhirin sa më të sigurt që mundemi dhe sa më të vështirë që të falsifikohet”.

“Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se një milion njerëz çdo vit vdesin nga barnat e falsifikuara, kjo është shifër nga OBSH-ja. Kjo është e papranueshme, duhet të luftohet. Por, është e vështirë të parandalohet sepse ka shuma të mëdha parash që futen aty dhe ka shumë biznese që hyjnë aty”, ka thënë ai.

Kërkesa e tij ka qenë që qytetarët të mos blejnë produkte në internet, pasi që kjo e rrit shkallën e rrezikshmërisë.

“Vitin e kaluar nga 80 mijë faqe është ofruar produkti në mënyrë të kundërligjshme, pra janë faqe të ndryshme, dhe është e pabesueshme sa shumë është rritur. Mos blini produkte nga internet sepse është shumë e rrezikshme”.

Ndërsa zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha ka thënë se janë duke e përmbyllur kornizën ligjore sa i përket rregullave që kanë të bëjë me prodhimin si dhe çmimin e produkteve.

“Ministria e Shëndetësisë është duke përmbyllur kornizën ligjore sa i përket rregullave që çdo gjë që ka të bëjë me prodhimin, çmimin e produkteve në kuadër të ligjit për caktimin e çmimit të barnave”.

“Tashmë diskutimi publik ka përfunduar dhe grupi së shpejti do të përfundojë edhe duke diskutuar komentet dhe diskutimet që janë dhënë nga shoqata, farmacistë, individ të ndryshëm”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se edhe buxheti për barnat e listës esenciale duhet të rritet.

“Veprimi i dytë ka të bëjë me rritjen e buxhetit për sa i përket furnizimit nga lista esenciale e barnave, dhe tashmë jemi edhe dëshmitarë që ky vit është si asnjëherë më parë me një buxhet goxha të mangët për furnizimin nga lista esenciale e barnave për material shpenzues mjekësor dhe barna”.

“E po ashtu një hap tjetër, e kemi bërë edhe sa i përket monitorimit të këtij tregu apo të funksionalizimit të rregullt të institucioneve shëndetësore të industrisë farmaceutike me shumicë dhe pakicë duke shpallur edhe rekrutimin e tashmë në procedurë e sipër të 42 profesionisteve tjerë në Agjencionin e Inspektoratit Shëndetësor dhe farmaceutik”.

Si ish ministër i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka potencuar se edhe në të kaluarën ka qenë problematikë sektori farmaceutik.

“Sigurisht pjesa kryesore ose shqetësimi ka të bëjë me prezantimin e rremë të barnave ose pjesa e cilësisë dhe kush është ai i cili mashtrohet në kuptimin e saj, është gjithmonë konsumatori, qytetari dhe kjo bie në Ministrinë e Shëndetësisë, pjesa e mbikëqyrjes po ashtu që nënkupton me qëllim ose pa duket se Inspektorati Shëndetësor është lënë nën hije edhe të numrit të stafit dhe të mbikëqyrjes”.

Zemaj ka shtuar se, “edhe aty ku ka pasur mbikëqyrje shpesh është raportuar për interferime që ndërlidhen me afera korruptive”, ka thënë Zemaj.

Aktualisht njëra ndër klinikat që është duke u ballafaquar me mungesë të barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është klinika e Onkologjisë.

Pa drejtor e me mungesë të barnave në klinikën e Onkologjisë – “situata drejt degradimit”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore