Kosova

Kosova regres në arsim, Kurti thotë se e rriti buxhetin


Albin Kurti

Rezultatet e publikuara të testit “PISA” për vitin 2022, tregojnë që Kosova ka shënuar regres në fushën e arsimit, madje situata është edhe më e rëndë seç ka qenë në vitin 2018, kur ka qenë edhe hera fundit kur ka pasur matje, megjithatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ai ka rritur buxhetin e përgjithshëm për arsim dhe ka bërë shtimin e bursave për studentë.

Këto deklarata i pari i ekzekutivit i bëri në takim me ish-drejtorin e USAID në Kosovë tashmë anëtarin e bordit të Fondit Kosovar Amerikan për Arsim (KAEF – Kosovo American Education Fund), Dale Pfeiffer.

“Javën e kaluar u ndanë 1 mijë e 882 bursa për studente në fushat STEM, duke e ngritur numrin në gjithsej 4 mijë e 630 bursa për gra dhe vajza në këto fusha për tri vite akademike radhazi. Me rritjen e numrit të studenteve në këto drejtime zvogëlojmë pabarazitë sociale dhe mbështesim pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave”, ka thënë Kurti, bën të ditur komunikata për media e Zyrës së Kryeministrit i lëshuar pas takimit.

Dale Pfeiffer dhe Albin Kurti

Në rezultatet e publikuara këtë të marte vihet në pah se numri i nxënësve që nuk kuptojnë nga të lexuarit nga 78 për qind sa ka qenë në vitin 2018, ka shënuar rritje në 83 për qind në vitin 2022.

Rritje edhe më të madhe kemi në matematikë. Nxënësit e Kosovës që kanë qenë nën nivel janë rritur nga 76 për qind sa ishin në vitin 2018, në 85 për qind tani.

Ndërsa sa i përket shkencës, nga 76 për qind në vitin 2018, numri i performancës së dobët është rritur në 79 për qind në vitin 2022.

Në bazë të këtyre të dhënave që janë publikuar këtë të marte, por edhe nëse bëjmë krahasime me testet e kaluara, Kosova më së miri në PISA kishte dalur në vitin 2016.

Aty, Kosova ishte renditur e 68-të nga 72 vende pjesëmarrëse.

Për këtë çështje është deklaruar në një konferencë për media edhe ministrja e Arsimit, Arëbrie Nagavci, ku ka deklaruar se rezultatet e PISA-s për Kosovën kanë qenë të pritshme, duke u përpjekur që rezultatet e dobëta t’i arsyetojë me problemet që kanë ekzistuar me mësimin gjatë pandemisë.

Kosova ka shënuar regres edhe në arsim, testi PISA tregon rezultat më të dobët sa në vitin 2018

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore