Lajme

Kosova pritet të ketë ulje të inflacionit deri në 6 për qind


Ilustrim.

Rritje dyshifrore e inflacionit që varfëroi shportën e konsumatorit e përcjelli Kosovën gjatë gjithë vitit 2022.

Mirëpo, pritshmëritë janë që situata të stabilizohet me çmime gjatë vitit 2023, kështu të paktën pohojnë institutet financiare.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar për Radio Evropën e Lirë se në gjashtëmujorin e dytë të 2023 pritet ulje e inflacionit.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Në muajin nëntor, Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, kishte publikuar një raport për ndikimin e inflacionit në ekonomitë familjare.

Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i këtij instituti, ka sqaruar ndikimin që ka norma e lartë e çmimeve.

“Kur kemi inflacion ose normë të lartë të çmimeve kjo ndikon në aktivitetin ekonomik. Mund të tërheq më pak investime të huaja sepse investitorët janë më striktë kur zgjedhin se në cilat vende dëshirojnë të investojnë”, thotë ai.

Sipas Institutit GAP, “autoritetet është dashur të marrin masa që do të mbështesnin edhe rritjen e prodhimit të brendshëm, meqë inflacioni në Kosovë është në masë të madhe i importuar”.

Për t’u përballur me inflacionin masat e marra nga Qeveria nuk ishin të mjaftueshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ekzekutivi nuk ka vepruar sipas ligjeve në fuqi.

“Qeveria e ka pasur mundësinë dhe e ka pasur obligim ligjor faktikisht që t’i rrisë pagat. Nëse Qeveria është deklaruar se norma e rritjes ekonomike në vitin 2021 ka qenë 10 për qind, atëherë minimumi 10 për qind është obligim ligjor që të rriten pagat”.

Ndryshe, të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Prej tyre, rreth 18 për qind jetojnë me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind janë në kufi të varfërisë ekstreme, me më pak se 1.50 euro në ditë.

Në Kosovë, këtë vit, janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor. Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore