Lajme

Kosova pranon automjete për FSK-në nga Gjermania me vlerë 2.7 milionë euro


Ilustrim

Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit në vlerë prej 2 milionë e 700 mijë euro të automjeteve Rheinmetall, nga Gjermania.

Në këtë ceremonia ka marrë pjesë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në fjalën e tij, ministri Maqedonci ka thënë se ky bashkëpunimin mes dy shteteve do të vazhdojë.

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë që sot të pranoj donacionin e radhës më vlerë 2.7 milionë euro. Rol të rëndësishëm ka partneri ynë, andaj jemi shumë mirënjohës, në vazhdën e 3 milionë e 800 mijë euro. Falënderoj ambasadorin për kontributin dhe sigurisht ky bashkëpunim do vazhdojë tutje me qëllim për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend e rajon”, tha Maqdonci.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Prishtinë nënvizoi raportin e mirë në mes të dy vendeve respektive.

“Mendoj që dua ta theksoj raportin e shkëlqyer mes Gjermanisë dhe Kosovës. Jam shumë i kënaqur të jem sot këtu gjatë donacioneve në vlerë milionëshe. E falënderoj ministrin Maqedonci për pjesëmarrjen në këtë ceremoni”, theksoi Rohde.

Rohde ka theksuar se vlera e pesë automjeteve të dhuruara është 3 milionë euro, teksa ka bërë të ditur se FSK-ja ka vendosur t’i blejë edhe 10 të tjerë me mjete të veta.

“Përpos këtyre 5 kamionëve në vlerë prej rreth 3 milionë euro donacion, FSK-ja ka vendosur t’i blejë edhe 10 të tjerë me mjete të veta”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore