Libra

Kosova – origjina e emrit


Flamuri i Republikës së Kosovës

Mes deklaratash që së fundmi ka bërë më shumë bujë është edhe ajo e Kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, rreth emrit të Kosovës – për të cilin u shpreh se do të duhej të ndërrohej, ngase sipas tij “është emër serb”.

Daçiç ka thënë që Kosova në radhë të parë duhet të ndryshojë emrin, pasi sipas tij ky emër është fjalë serbe “e konfirmuar edhe nga CIA”.

Ivica Daçiç – Kryetar i Kuvendit të Serbisë.

“Nuk jam i befasuar nga asgjë. Por pas kësaj ata duhet ta ndërrojnë edhe emrin sepse Kosovë është fjalë serbe edhe sipas faqes së internetit të CIA”, ishte shprehur Daçiç.

Por, një deklaratë e tillë “me tendenca provokuese, nuk duhet të merret parasysh”.

Kështu të paktën mendon, arekologu dhe anëtari i Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Qazim Namani, i cili në një intervistë për Albanian Post, thotë se Daçiç nuk është kompetent për dhënien e propozimeve të tilla.

Qazim Namani – Anëtar i Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

“Mendoj se nuk duhet kushtuar shumë hapësirë deklaratave të tilla provokuese. Propozimi i Ivica Daçiçit, nuk duhet të merret seriozisht, sepse atij nuk i takon që të jep propozime të tilla”, thotë Namani.

Polemikat rreth prejardhjes së emrit “Kosovë” janë të shumta edhe vetë historianët janë të ndarë në dy grupe, disa që mendojnë se ky emër ka prejardhje ilire dhe të tjerët që mendojnë se i njëjti ka origjinë sllave.

Namani thotë se origjina e emrit Kosovë nuk është sllave, por trajtën sllave e ka marrë në shekullin e 19-të, pas krijimit të mitit për betejën e Kosovës të vitit 1389.

“Duke u bazuar në betejën pranë qytetit Kassova (Cassova), i tërë rajoni filloi të quhet Kosova, duke e ndërlidhur emrin Kassova me disa emërtime sllave Kosovo në rajonet e veriut të disa shteteve, ku ekzistonte me parë ndikimi sllav”.

“Mendoj se Klubi pan sllavist polak që vepronte në Paris, së bashku me gjermano veriorët dhe rusët emrit Kassova i dhanë trajtë sllave, për ta krijuar mitin për betejën e Kasovës 1389”, thotë ai.

Fenomeni i ndryshimit të emrit të një shteti, nuk është diçka e paparë në Ballkan, kjo pasi që në një rrugë të tillë kaloi edhe Maqedonia e Veriut.

Gjithsesi, Namani nuk është i vetmi që mendon se origjina e emrit nuk ka të bëj me sllavët.

Një interpretim rreth origjinës ilire e thotë akademiku kroat Josip Rogliç, i cili në shkrimet e tij përmend se emrat gjeografik të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire, kësisoj termi gjeografik “Kosova” i takon gjuhës së vjetër ilire.

Josip Rogliç – Akademik kroat.

Baza e tij mbështetet në atë se emërtimi ‘’Kosovë’’ haset edhe në disa vende si Dalmaci, Bosnje e Maqedoni Veriore.

Mes tjerash, Namani, hedh poshtë teoritë se emri Kosovë ka të bëjë me një shpend serb.

“Shumë studiues për emrin e Kosovës së sotme mendojnë se ky emër është formuar nga zgjerimi i emrit sllav të shpendit kos ‘mëllenjë’ me prapashtesën sllave ‘ova’. Por, kjo prapashtesë haset edhe në gjuhën latine, turke, bullgare, andaj latinët nuk e kanë marrë nga sllavet”, thotë ai.

Por, nëse Kosova ndonjëherë do të kushtëzohej ta ndërronte emrin, cili do të ishte emërtimi i përshtatshëm sipas pjesëtarit të IKMM-së, Qazim Namani?

“Shqiptarët e kësaj treve, kurrë nuk duhet të heqin dorë nga përkatësia etnike dardane dhe Mbretëria së Dardanisë, por duhet shtuar studimet në fushën e historisë, identitetit dhe etnokulturës dardane”.

“Emri Kosova nuk mund të zëvendësojë emrin e Dardanisë, andaj në rrethana të favorshme historike, shteti i ri i Kosovës duhet quajtur ‘Dardani’, në kontestin mbarë përfshirës ‘Shqipëri’”, thotë Namani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore