Kosova nuk respekton sanksionet ndaj Rusisë: Lejon shitjen e mallrave ruse të “Gazprom-it” me kupon fiskal

Foto nga Albanian Post

Lirim Mehmetaj
19.09.2023 14:03
Loading Icons...

Mallrat e Rusisë, veçanërisht ato të naftës dhe produkteve të naftës, janë të sanksionuara me vendim të Qeverisë së Kosovës, por në Kosovë gjen gjithandej produkte ruse të kësaj industrie.

Këto mallra nuk është se blihen e as shiten në tregun e zi, por për to merret kupon fiskal nga Republika e Kosovës.

Ishte data 26 korrik e këtij viti, kur Qeveria e Kosovës miratoi pakon e re të sanksioneve ndaj Rusisë, në veçanti ndaj mallrave ruse (sanksionet e para ishin vendosur në vitin 2022).

Kjo pasi Bashkimi Evropian vendosi pakon e 11 të sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Ministrat e Qeverisë Kurti votuan unanimisht që mallrat ruse të mos hyjnë në Kosovë.

Por, vaji për vetura “Gazprom”, kompania më e madhe ruse e derivateve, shitet në Kosovë me kupon fiskal, çka nënkupton se futet përmes Doganave të Kosovës krejtësisht në mënyrë legale.

“Gazprom”, është kompani ruse që pjesën më të madhe të fitimit e shpenzon për blerjen e armatimit për luftën në Ukrainë.

Kjo kompani është sanksionuar nga të gjitha vendet demokratike perëndimore, por në Kosovë vazhdojnë të shiten produkte të “Gazprom-it”.

Albanian Post ka hulumtuar tregun dhe ka gjetur në disa pika të shitjes vaj për vetura të “Gazprom-it”.

Një litër e vajit rus kushton 4 euro me TVSH.

3.39 euro shkojnë për “Gazprom-in”, ndërsa 0.61 cent për Kosovën.

Vaji mund të blihet në shumë pika nëpër vende të ndryshme në Kosovë.

Ky mall nga të gjitha këto pika deklarohet tek autoritetet tatimore.

Në kuponin fiskal është përshkrimi i mallit “Gazprom”.

Mallrat ruse, bazuar në vendimet e Qeverisë nuk duhet të shiten nëpër Kosovë dhe është detyra e Inspektoratit të Tregut të Ministrisë së Industrisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, që t’i largojë nga tregu.

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar pakon e 11 të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë në qershor të këtij viti. Kjo pako përfshinte zgjerimin e  disa kufizimeve të mëhershme dhe ishin shtuar disa dhjetëra entitete të reja dhe po ashtu mallra.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 26 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se Qeveria po plotëson vendimin për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare “në përputhje me masat e reja kufizuese të Bashkimit Evropian”.

Në vendim, në një nga pikat thuhet se sanksionet “do të jenë në fuqi deri në një vendim tjetër”.

Vendimi gjithashtu obligonte “institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij Vendimi, në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Albanian Post është siguruar edhe nga Dogana e Kosovës që produktet ruse s’do të duhej të futeshin fare në Kosovë, aq më tepër të shiteshin si mallë i rregullt.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, është befasuar kur i është kumtuar fakti se në Kosovë blihen produkte ruse gjithandej dhe atë me kupon fiskal.

Vendimi i Qeverise

Kush është Gazprom?

PJSC Gazprom është kompani shtetërore e Rusisë me produkte të naftës dhe vajrave, por gjithashtu edhe korporatë energjetike me bazë në Shën Petersburg.

Gazprom, me shitje prej 120 miliardësh për vit, në 2019 ishte rankuar si një nga kompanitë më të madha në botë të prodhimit të gazit natyral dhe bindshëm kompania më e madhe ruse.

Në vitin 2020 Revista Forbes e kishte rankuar Gazpromin si një nga kompanitë shtetërore më të mëdha në botë.

Në vitin 2022 të ardhurat e kompanisë shkuan në tetë trilionë rubla ruse.

Por, në vitin 2023 Gazpromi u hoq nga listat ndërkombëtare pikërisht për shkak të sanksioneve.

Gjithsesi, kjo s’është e tëra.

Gazprom gjithashtu është pronare e grupit më të madh mediatik në Rusi, Gazprom Media, edhe këto të sanksionuara nga BE e SHBA.

Gazprom qëndron edhe pas bankës më të madhe ruse Gazprom Bank, po ashtu e sanksionuara nga bota demokratike.

Marrë në total, Gazprom ka rreth 60 kompani me pronësi të plotë, mbi 30 kompani me 50 për qind ose më shumë pronësi dhe  mbi 22 kompani me 50 ose më pak për qind pronësi.

Këto vetëm në Rusi.

Janë gjithashtu edhe qindra kompani të tjera në shtetet të ndryshme në të cilat Gazprom ka pronësi të plotë apo të pjesshme.

Të fundit

Aktuale