Lajme

Kosova nis pagesën për raketat “Javelin”, thotë Maqedonci


Ejup Maqedonci

Disa muaj pasi Administrata Amerikane pranoi kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank, Javelin, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka theksuar se Kosova i ka filluar pagesat milionëshe për këto raketa, ndërsa ato pritet të arrijnë me kohë në Kosovë.

“Do të vijnë me kohë në Kosovë dhe do të jenë pjesë e inventarit të FSK-së. Tani jemi në fazën e diskutimeve të afateve, jemi duke realizuar pagesat e para për këto sisteme. Kemi filluar pagesat”, ka thënë ai.

Më tej Maqedonci ka potencuar se Kosova ka blerë të gjitha pajisjet dhe armatimin e nevojshëm për mbrojtje, ndonëse nuk ka specifikuar llojet e pajisjeve dhe të armatimit që ka FSK-ja.

“Gjitha blerjet që janë bërë janë blerje që janë realizuar përmes blerjeve të veçanta, që lejohet me ligje tonat dhe marrëveshjet që i kemi shtet me shtet. Blerjet janë bërë bazuar në një plan të blerjes. Janë blerë të gjithë pajisjet dhe pajisjet e armatimit bazuar në nevojat e arritjes së objektivave në planin gjithëpërfshirës”, ka potencuar ai në një intervistë për Koha.net.

SHBA-ja në janar të këtij viti ka aprovuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 raketave anti-tank Javelinë dhe 24 njëri për lëshimin e tyre.

Çmimi total që Kosova duhet t’i pagojë SHBA-ve për këto pajisje të sofistikuara ushtarake kap vlerën e 75 milionë dollarëve amerikanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore