Lajme

Kosova në pritje të njohjes së pasaportës digjitale për COVID-19


Ilustrim.

Kosova ende nuk është pjesë e sistemit të certifikatave digjitale COVID-19, të cilat janë të miratuara nga Komisoni Evropian.

Certifikata digjitale COVID-19, ju mundëson qytetarëve të Bashkimit Evropian që të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post tha se janë duke punuar me përgjegjës të Komisionit Evropian, që të pranohet certifikata edhe për qytetarët e imunizuar të Kosovës.

“Përgjegjësitë e Ministrisë se Shëndetësisë janë të dizajnojnë certifikatën sipas kritereve të Komisionit Evropian dhe të përmbushë standardet që ky dokument duhet t’i ketë, normalisht, të kërkojë dhe avokojë sa më shumë që ka mundësi te BE-ja, që certifikata të njihet sa më parë që ka mundësi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Edhe, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i tha Albanian Post se, “Komisioni Evropian pritet të vendos edhe për Kosovën ashtu si për vendet e tjera”.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një prononcim për Albanian Post theksoi rëndësinë e pasaportës digjitale.

“Pasaporta digjitale do të siguroj informacion për ofruesit e kujdesit shëndetësor në lidhje me statusin e vaksinimit të individëve, duke siguruar një bazë për punonjësit e shëndetësisë që të ofrojnë një dozë të mëvonshme dhe/ose shërbime të përshtatshme shëndetësore sipas rastit”, tha ai.

Syla, sqaron se pasaporta digjitale e vaksinimit e miratuar nga Komisioni Evropian do të përdorën si kusht i hyrjes në disa vende.

“Në disa raste, kartat e vaksinimit përdoren gjithashtu për të lehtësuar udhëtimet ndërkombëtare, për shembull në rastin e etheve të verdha, ku një certifikatë vaksinimi mund të kërkohet nga disa vende si kusht i hyrjes”.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla

Edhe pse, ai bën të ditur se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e mbështet kërkesën për dëshmi të vaksinimit.

“Në parim OBSH-ja nuk e mbështet kërkesën për dëshmi të vaksinimit COVID-19 për të udhëtuar. Në disa situata, megjithatë, në varësi të vlerësimit të rrezikut të vendeve në fjalë, informacioni rreth vaksinimit kundër COVID-19 mund të përdoret për të zvogëluar kërkesat për karantinë ose testime pas mbërritjes”.

Pjesa e parë e një pasaporte vaksinimi është regjistri zyrtar apo regjistri i aprovuar i imunizimit eletkronik të përdoruesit të saj.

Komisioni Evropian ka miratuar certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë, ndërsa më 20 gusht, në sistemin digjital të certifikatave, është pranuar edhe Maqedonia e Veriut.

Ndryshe, të mërkurën në Kosovë, ministria e Shëndetësisë ka njoftuar që qytetarët e Kosovës të cilët janë vaksinuar kundër COVID-19 mund të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit nga platforma online eKosova.

Pasaporta e vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore