Përballje

Kosova mposhtet nga Guinea


Kombëtarja e Kosovës në futboll ka pësuar humbje në ndeshjen miqësore kundër Guinesë, me rezultat 1:2.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes kishte vendosur për këtë ndeshje që t’i testojë disa lojtarë të rinj duke i dhënë minuta që nga fillimi golashënuesit më të mirë të Superligës së Kosovës, Mirlind Daku.

Takimi në stadiumin “Arslan Zeki Demirci Spor” të Antalya-s nisi me një ritëm të qetë dhe pak raste shënimi, meqë rast, pjesa e parë përfundoi pa gola.

Në minutën e 60-të, Guinea kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Moustapha Kouyate.

Pas golit të pësuar, Dardanët provuan të këndellen, mirëpo nuk e arritën dot dhe vetëm pesë minuta më vonë, u akordua një penallti e dyshimtë për një prekje të topit më dorë, që dukej se ishte jashtë zone.

Nga pika e 11-metërshit nuk dështoi Jose Kante, që dyfishoi shifrat në 2:0.

Djelmoshat e Kosovës, rritën presionin ndaj kundërshtarit, por golin e vetëm të ndeshjes, arritën ta gjejnë vetëm në minutën e dytë shtesë përmes futbollistit të Balikesirspor, Arb Manaj.

Kosova do ta laujë edhe një ndeshje tjetër miqësore në Antalya, kundër Gambisë, më 11 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore