Film

Kosova me tre filma në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë


"Në kërkim të Venerës", "Luaneshat e Kodrës", "Pa vend"

Gjithsej tre filma do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës në Bosnjë e Hercegovinë.

Lista përfshin filmat “Në kërkim të Venerës” me regji nga Norika Sefa dhe “Luaneshat e Kodrës” e regjisores, Luana Bajrami.

Në këtë festival pjesë do të marrë edhe edhe filmi “Pa vend”, regjisor i të cilit është Samir Karahoda.

Të tre filmat kosovarë do të jenë pjesë e nominimeve zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.

Kujtojmë se filmi “Në kërkim të Venerës”, u dha si premierë në Rotterdam, ku edhe fitoi “Çmimin Special të Jurisë”.

Ndërsa, filmat “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa vend”, shënuan histori teksa u bënë filmat e parë nga Kosova që shfaqën premierat e tyre gjatë Festivalit të Filmit në “Cannes 2021”, gjegjësisht në programin “Director’s Fortnight” si dhe në kategorinë kryesore.

Lidhur me nominimet e filmave kosovarë në Festivalin e Filmit të Sarajevës, ka njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës, të cilët kujtuan edhe vitin e kaluar kur Kosova ishte prezantuar atje me filmin “Exil”.

“Kjo do të jetë prezencë e madhe e film bërësve tanë, ku vitin e kaluar Kosova rrëmbeu zemrën e Sarajevës me filmin ‘Exil’ të regjisorit Visar Morina”, shkruan QKK në një postim në Facebook.

Ndryshe, lidhur me suksesin e këtyre filmave, kishte shkruar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte theksuar se Qeveria do të jetë pranë artistëve dhe do t’i përkrahë ata “si asnjëherë më parë”.

“Samir Karahoda dhe Luana Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar. Nga shumë mijëra filma ky Festival përzgjodhi rreth një dyzinë sosh për secilën kategori”.

“Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan. E Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan. Rëndësia e artit dhe vlerat tona po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm”, kishte shkruar Kurti në një postim të tij në Facebook.

Kryeministri Kurti, i cili ishte pjesëmarrës në netët finale të Festivalit të Filmit në “Cannes”, kishte treguar se gjatë kësaj vizite, ai ishte takuar personalitete të botës së artit.

“Takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche du Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë, Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës, Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit, Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falënderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit”, pati thënë ai.

Përveç tyre, Kurti ishte takuar edhe me ministren franceze të Kulturës, Roselyne Bachelot, me të cilën siç kishte thënë ai, ka diskutuar për avancimit e prodhimit të përbashkët të filmave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore