Lajme

“Kosova i vetmi shtet në rajon dhe Evropë pa sigurime shëndetësore”, thotë Dreshaj


Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për sistemin e shëndetësisë.

Ai në një konferencë për media ka thënë se Kosova, është i vetmi shtet në rajon dhe në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore.

“Shëndetësia sot me buxhet të dyfishuar vazhdon me probleme të njëjta dhe të cilat po shtohen disa ditës. Thuajse nuk ka ditë që nuk jemi në media për probleme, dështime e skandale nga më të ndryshmet”.

“Premtimet e dhëna lidhur me shërbime cilësore në shëndetësi ende vazhdojnë, ndërsa ende vazhdojnë problemet e vjetra si ikja e personelit profesional shëndetësor, lista e barnave esenciale me probleme të njëjta, lista e pritjes në rritje e sipër, si në aspektin diagnostik dhe terapeutik, si për shembull në ortopedi ka pacientë që për protezë të gjurit presin deri në 4 vjet”, ka thënë Dreshaj.

Ilustrim.

Teksa, ka kritikuar mazhorancën për mosmiratimin e Ligjit për shëndetësi, ligjit për sigurime shëndetësore e ligjit për sigurimet sociale.

Ai për këto ligje ka thënë se janë “shtyllë e shëndetësisë”.

“Shëndetësia është keq intervenimet duhet të jenë urgjente dhe të drejta. Qëllimi i kësaj konference është ftesë për mediat, shoqërinë civile, partitë politike në pozitë e opozitë, intelektualët dhe strukturat tjera vendore me influencë që të mos heshtin, të mos rrinë duar kryq por të mobilizohen dhe të kërkojnë urgjentisht veprime”.

“Ky është shtet i yni”, deklaroi Dreshaj.

Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr.

Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).

Duke mos pasur sigurim shëndetësor edhe te qytetarët është krijuar një kulturë e funksionimit ndryshe në raport me shëndetësinë.

Ministria e Shëndetësisë, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore