Kosova

Kosova do të ngrit aktakuzë kundër Radojiçiç-it brenda 3 muajve


Ilustrim

Brenda tre muajve Kosova do të ngrit aktakuzë kundër kryeterroristit, Milan Radojiçiç, i cili organizoi sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Kështu të paktën raporton Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në burime brenda sistemit të drejtësisë.

Sipas tyre, hetimet e këtij rasti janë duke vazhduar në mënyrë intensive, ndërsa aktakuzat për personat e përfshirë do të kompletohen gjatë vitit 2024.

Më 7 dhjetor, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, tha se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Radojiçiç-in, në lidhje me sulmin në Banjë.

Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Çfarë ndodhi?

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.

Radojiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në Veri të Kosovës.

Autoritetet serbe bënë të ditur Radojiçiç është marrë në pyetje nga Prokuroria në Beograd për sulmin në Banjë dhe se është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi dhe ia konfiskoi dokumentet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte Veriun e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore