Shqipëria

Kosova dhe Shqipëria zotohen për realizim të marrëveshjeve të nënshkruara nga Ministritë e Drejtësisë


Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë së Shqipërisë Ulsi Manja

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja në një konferencë për media janë zotuar për realizim të marrëveshjeve të cilat janë diskutuar në mbledhjen e fundit Kosovë-Shqipëri.

Haxhiu, bëri të ditur se me ministrin e Shqipërisë ka diskutuar për tema të përbashkëta për të dy republikat.

“U ndjeva e nderuar që ta pres në takim ministrin Manja. Në këtë takim shprehem vullnetin e dyanshëm për bashkërendim të aktiviteteve tona në finalizimin e marrëveshjeve të cilat jemi zotuar në mbledhjen e fundit se do t’i jetësojmë bashkërisht”.

“Ministrin Manja, e njoftova edhe për veprimet që ka marrë Republika e Kosovës në drejtim të adresimit të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, theksoi se janë duke punuar për të dërguar marrëveshjet e nënshkruara përpara.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë së Shqipërisë Ulsi Manja

Ai ka thënë se bashkëpunimi mes dy vendeve fillon nga drejtësia.

“Sa i përket ministrive tona nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunim. Nuk ka më asnjë pengesë ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të njëjtat të drejta në Shqipëri në bashkëpunim civil dhe tregtar”.

“Do të kemi shumë shpejt edhe zbatimin e një marrëveshjeje sa u përket personave kosovarë të dënuar me dënime alternative në Shqipëri. Të njëjtit nuk do të paraqiten në gjykatat në Shqipëri, por do të mund të mbikëqyren nga ato në Kosovë”, ka thënë ai.

Manaj, shtoi se zotimet që kanë bërë të dyja vendet nuk do të mbesin vetëm në letër.

Teksa i pyetur për Gjykatën Speciale ka thënë se “qëndrimi i tij është i qartë dhe nuk ka çfarë të shtojë diçka tjetër nga deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama”.

Gjithashtu deklaroi se qëndrimi i tij bazohet edhe në rezolutën që ka bërë Parlamenti i Shqipërisë për raportin e Dick Martyt.

Sa i përket marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën me burgjet, Haxhiu tha se pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda një muaji.

“Kemi pasur diskutime të gjata të cilat janë përmbyllur. Nuk kemi mundur të nisim renovimet në Qendrën në Gjilan pa u ratifikuar marrëveshja në Kuvend. Shumë shpejt marrëveshja do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, brenda një muaji”, deklaroi Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore