Kosova

Kosova dhe Serbia ta rrisin vullnetin e tyre për të zbatuar Marrëveshjet, thotë Borrell


Josep Borrell

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një prononcim të shkurtër për media në prag takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që ta rrisin vullnetin e tyre për të zbatuar Marrëveshjet e dalura nga dialogu në atë mënyrë për të vazhduar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Union.

Diplomati spanjoll ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të BE-së dhe NATO-s në Kosovë gjegjësisht misionit të EULEX-it dhe KFOR-it.

“BE-ja dhe NATO-ja janë përballur disa herë me momente të vështira dhe ne do të vazhdojmë të mirëmbajmë sigurinë në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë, EULEX-i po luan një rol të rëndësishëm për këtë dhe një gjë të tillë e ka bërë me vite dhe do të vazhdojë ta bëjë”.

Ai ka konfirmuar se në këtë sesion të NATO-s ndër të tjera do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor.

“E dini sa është e rëndësishme Ballkani Perëndimor për BE-në. Shumë shtete brenda BE-së angazhohen në këtë rajon. Dhe disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë kandidat të BE-së. Stabiliteti dhe Prosperiteti dhe radhitja e tyre me Politikën tonë të jashtme është e një rëndësie vitale”.

Në prag të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se është parë dhunë serioze në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke iu referuar sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ndërsa ka shtuar se do të ekzaminohet edhe rritja e qëndrueshme e trupave paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it, përkundër rritjes së numrin të kontigjentit të misionit.

“Ajo që kemi parë në Ballkanin Perëndimor është se tensionet po ngriten. Ne kemi parë tensione të shtuara dhe retorikë nxitëse në Bosnje-Hercegovinë. Ne kemi parë dhunë serioze në Kosovë, përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s dhe incidentin në Banjë. Ne duhet të qëndrojmë të fokusuar. NATO-ja do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin”.

Krerët e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s, të martën dhe të mërkurën, do të shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në Veriun e Kosovës duke hapur rrugë procesit të normalizimit të marrëdhënieve, pa përjashtuar diskutimet mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme.

Stoltenberg: Tensionet po ngriten në Ballkanin Perëndimor, ne duhet të qëndrojmë të fokusuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore