Kosova

Kosova dhe Serbia duhet të shfrytëzojnë unitetin e Perëndimit, kjo mundësi mund të mos vijë më kurrë


Ilustrim/Albanian Post

Sukseset më të mëdha në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë arritur kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë ecur në drejtimin e njëjtë dhe me strategjinë e njëjtë. Rrugët me motive të ndryshme, me ndërmjetësues të ndryshëm, me filozofi të ndryshme nuk sollën asnjë rezultat.

Pas shumë fillimeve që ishin cilësuar si të gabuara gjatë viteve të fundit, sërish po vërehet uniteti evropian për ta gjetur një lloj “marrëveshjeje finale” mes Kosovës e Serbisë me anë të propozimit franko-gjerman, ndërsa SHBA-ja ka nisur të çojë peshë më të rëndë përbrenda procesit.

Lufta në Ukrainë ka shtyrë Perëndimin të marrë hapa drejt finalizimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe të mos lejojë që të bëhen hapa që do të dërgonin drejt ndonjë konflikti eventual, ku Rusia dhe potencialisht edhe Kina, do të sfidonin NATO-n dhe BE-në në Ballkanin Perëndimor.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për “Parimet themelore të procesit të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë” me një aneks për pasojën e mos-nënshkrimit, të cilin e ka siguruar Albanian Post, pak ditë para takimit në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë.

“Perëndimi nuk e ka luksin e dështimit në ‘oborrin e shtëpisë së BE-së dhe NATO-s”, thuhet në hyrje të këtij segmenti, duke kujtuar se Rusia po teston vendosmërinë perëndimore në Ukrainë dhe Kina ka arritur një marrëveshje historike mes Arabisë Saudite dhe Iranit duke rezultuar si një akter relevant në arenën globale politike.

Pasi ka unitet, ka edhe qartësi. Kosova dhe Serbia me pranim të marrëveshjes “harmonizojnë pozicionet e tyre me 27 shtetet e Bashkimit Evropian”, kurse nëse e refuzojnë atë, “pezullojnë rrugën e integrimit në BE-së dhe hedhin poshtë të gjitha proceset dhe përfitimet e lidhura me të. Izolimi dhe trazirat e brendshme pasojnë së shpejti”.

BE-ja është bashkuar për Kosovën dhe Serbinë – Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen për BE-në

Prandaj, në vizionin që prezanton dokumenti është qartësuar se “Marrëveshja Themelore nuk do të drejtojë vetëm marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës”, por “do të menaxhojë edhe procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të cilët janë në qendër të vëmendjes dhe gëzojnë mbështetjen e kryeqyteteve evropiane për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, më 18 mars në Ohër do të bëjnë përpjeket e tyre për të arritur deri te një marrëveshje historike.

Propozim-Marrëveshja franko-gjermane është lexuar si një mbështetje thelbësore për Lajçak’un si ndërmjetësuesi kryesor sepse kjo është shenjë se ai nuk përfaqëson vetëm institucionet evropiane dhe përfaqësuesin e lartë Borrell, por po ashtu përfaqëson dy vende që s’e njohin Kosovën.

Kjo gjë është një ndër simbolikat më të fuqishme në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit aktualisht, duke pasur parasysh se një nga kritikat kryesore ndaj Lajçak’ut ishte se ai bashkë më Borrell’in vijnë nga dy vende që nuk e njohin Kosovën – Spanja dhe Sllovakia.

“Është një produkt politik i veçantë dhe një kompromis i sinqertë i brendshëm i të gjitha shteteve te BE-së – i pranueshëm edhe nga shtetet anëtare që e njohin dhe ato që nuk e njohin Kosovën si shtet”, thuhet në non-paper të siguruar nga AP.

BE-ja ka treguar se është e vetmja fuqi që ofron ardhmëri afatgjatë strategjike për rajonin. Asnjëri nga lojtarët tjerë globalë nuk e bën këtë. Ballkani Perëndimor nuk mund të bashkohet me Kinën, nuk mund të bashkohet as me Rusinë. BE-ja dhe vendet anëtare kanë qenë gjithnjë bashkëpunëtorët më të rëndësishëm ekonomik.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë nënvizoi se “vëmendja lidhur me këtë proces është e jashtëzakonisht e lartë, mbështetja është jashtëzakonisht e lartë dhe uniteti është i paprecedent”.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier, pati thënë se angazhimin diplomatik që e ka parë përgjatë vitit të fundit, s’e kishte hasur kurrë më parë në karrierën e tij 33-vjeçare si diplomat i shtetit më të fuqishëm në botë.

“Keni angazhimin personal të kancelarit gjerman, presidentit francez, presidentit italian. Keni emisarë të posaçëm që angazhohen në mënyrë aktive që vërtetë e shtyjnë këtë çështje përpara”, pati deklaruar ambasadori Hovenier në njërën nga mediat e Prishtinës.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet një marrëveshje në takimin e 18 marsit në Ohër disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi. Krejt varet nga gatishmëria e Kurtit dhe Vuçiç’it për të bërë kompromise.

Ekskluzive, shënimet kritike të Marrëveshjes: Kosova dhe Serbia respektojnë vijat e kuqe, mundësojnë kompromisin, pranojnë marrëveshjen, fitojnë rrugë evropiane dhe mbështetje financiare – ndryshe, izolohen krejtësisht

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore