Përballje

Kosova barazon me Armeninë në ndeshjen miqësore


Kosova ka barazuar me rezultat 2:2 ndaj Armenisë, në ndeshjen e parë miqësore të muajit nëntor, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Dardanët pësuan gol në minutën e 24-të me anë të mesfushorit të CSKA Sofia-s, Zhirayr Shaghoyan, i cili përfitoi nga një reagim i ngathët i mbrojtjes.

Kosova pati disa mundësi të mira për ta barazuar rezultatin në pjesën e parë, por skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0:1.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Kosovën, por ata nuk arritën t’i konkretizojnë disa raste për ta barazuar rezultatin, derisa u akordua një penallti për ekipin e Alain Giresse.

Ekzekutimin e saj e mori përsipër Lirim Kastrati, i cili u tregua i saktë përballë portierit armen për ta barazuar rezultatin.

Megjithatë, përsëri ishte mbrojtja e Kosovës që reagoi dobët te goli i dytë i pësuar. Kamo Hovhannisyan e kaloi në epërsi Armeninë në minutën e 82-të.

Kur u mendua që Kosova do ta humbiste këtë ndeshje, në skenë doli Donat Rrudhani, i cili barazoi rezultatin me një goditje nga jashtë zone që u devijua edhe nga një futbollist i Armenisë.

Në fund Kosova shënon paraqitje të mirë edhe pse nuk mori fitore në këtë ndeshje miqësore.

Kujtojmë që takimin e radhës dardanët do ta luajnë më 19 nëntor kundër Ishujve Faroe përsëri në “Fadil Vokrri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore