Lajme

Kosnett: Mospajtimet e Kurtit me SHBA-të luajtën rol në prishjen e koalicionit VV-LDK


Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se në vitin e kaluar kur në Kosovë qeverisnin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), SHBA-të kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhbërjen e koalicionit qeverisës.

Kjo sipas ambasadorit Kosnett kishte ndodhur rreth mospajtimeve të LDK-së dhe LVV-së me disa politika të Qeverisë Kurti 1.

“Qartazi, fakti që administrata e SHBA-së dhe Qeveria Kurti kishin mospajtime për disa çështje të politikave, luajti rol në prishjen e koalicionit të LDK-së me Vetëvendosjen”.

Ai gjithashtu ka thënë se gjithçka ishte në harmoni me aktin më të lartë juridik të Kosovës.

“Mendoj se kjo është e qartë. Njerëzit do të shkruajnë kohë të gjatë për këtë, por do ta theksoja se çdo gjë që ndodhi, ndodhi në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Kosnett në një intervistë për kallxo.com.

Philip Kosnett

Drejtuesit e vendit luajtën lojën politike “afatgjate” pavarësisht se kishte zëra se demokracia e Kosovës nuk mund të evoluonte dhe “zëri i popullit nuk do të dëgjohej, por shiko tani, pas një viti e gjysmë: kush është presidente, kush është kryeministër. Mendoj se votuesit dhe udhëheqësit politikë të vendit luajtën lojën afatgjatë”, ka thënë Kosnett.

Opozita aktuale në Kosovë, sipas ambasadorit po bënë përpjekjet për rikthimin e votuesve.

“Më duket se LDK dhe PDK po e shqyrtojnë seriozisht çështjen se si t’i tërheqin votuesit. P.sh. ata e panë që gratë dhe të rinjtë votuan për ndryshim; votuan për një qeveri, një koalicion që premtoi se do të ndërmerrte përpjekje serioze kundër korrupsionit”, tha ai për kallxo.com.

Në Shtëpinë e Bardhë ka marrveshje për coptim të territoreve

Kurti akuzonte presidentin e atëhershëm Hashim Thaçi për pazare në Shtëpinë e Bardhë për coptimin e territorit të Kosovës, gjë që kishte refuzuar të udhtonte për në SHBA.

Aso kohe kryeministri Kurti kishte thënë se “motori për rrëzimin e qeverisë është marrëveshja e gatshme për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo është në prapavijë, pra është pazar presidencial me e rrëzu këtë qeveri, por me mua kryeministër nuk bëhet marrëveshje”.

“Dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpi të Bardhë dhe as në shtëpi të verdhë e as shtëpi të kuqe, me mua kryeministër. Pra, qëllimi ishte që të spostohem unë si kryeministër dhe Presidenti Thaçi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”

Ai akuzonte Thaçin se “ka një marrëveshje të gatshme” coptim të Kosovës.

Kurti kishte deklaruar se në takim me presidentin Thaçi, ky i fundit i kishte kërkuar të hiqet taksa dhe të “shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Unë e ti jemi të zgjedhur nga populli. Pra, nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hapë rrugë marrëveshjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore