Shqipëria

Korriku me rritje më të moderuar turistike, vetëm 2.7% më shumë se një vit më parë


Muaji korrik ka sjellë “me këmbë në tokë” vizionin për një rritje të madhe turistike në Shqipëri, pasi e tillë nuk ka qenë, me vetëm 2.7% më shumë se vitin e shkuar në të njëjtën periudhë.

Kështu kanë reflektuar të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave, të cilat reflektojnë se gjatë korrikut, në Shqipërinë hynë 1.81 milionë të huaj, ose 2.7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Megjithatë, në terma vjetorë, rritja vijon të jetë e lartë, me 23.2%, ku në total në shtatë muaj kanë hyrë në Shqipëri 6.36 milionë vizitorë të huaj.

Sa i takon hyrjeve edhe për shtetasit shqiptarë, së bashku me ata të huaj, llogaritet se kanë qenë 2.624 milionë hyrje në vend.

Ky tregues ka shënuar një rritje me 2,7%, krahasuar me Korrik 2023.

2 milionë e 350 mijë e 448 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë ndërkaq nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 10,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Korrik 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 805 mijë e 829, duke shënuar një rritje me 2,8 %, krahasuar me Korrik 2023.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1 milion e 818 mijë e 378. Ky numër është rritur me 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, thuhet në publikimin e INSTAT.

Në fund të qershorit dhe në pjesën e parë të korrikut strukturat akomoduese në bregdet dhanë shenja të qarta pesimizmi për rezervimet, të cilat ishin më të ulëta se pritshmëritë, teksa efekti zinxhir që dha rritja e çmimeve në disa rajone shkaktoi anulime masive, kryesisht të italianëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore