“Koordinimi është si rrallë ndonjëherë” – Gërvalla gënjeu publikisht se ka koordinim me Presidenten, u demantua pak më vonë nga Presidenca

Donika Gervalla, Vjosa Osmani

Dini Fetahu
16.05.2024 16:47
Loading Icons...

Një nga pyetjet e gazetarëve në konferencën për media të Donika Gërvallës, pasi paraprakisht përmes një letre njoftoi se do të dërgojnë një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, ishte edhe se a ka pasur koordinim me presidenten, Vjosa Osmani, për këtë nismë.

Gërvalla gënjeu duke thënë se jo që ka koordinim për këtë çështje, por koordinimi është si asnjëherë më parë.

“Sa i përket koordinimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës të jeni të sigurt se koordinimi mes institucioneve tona është si rrallë ndonjëherë në një nivel të jashtëzakonshëm dhe të jeni të sigurt se edhe presidentja, siç e keni parë, ka qenë bashkë nënshkruese e zotimeve dhe kjo letër e sotme nuk është asgjë e re”, deklaroi Gërvalla.

Por, vetëm pak orë më vonë, u konfirmua nga Presidenca se Osmani nuk ka ditur gjë për këtë nismë dhe as që ka qenë e konsultuar.

Por, vetëm pak orë më vonë, u konfirmua nga Presidenca se Osmani nuk ka ditur gjë për këtë nismë dhe as që ka qenë e konsultuar.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka thënë për “Albanian Post” zëdhënësi i presidencës, Bekim Kupina.

Sipas Kupinës, çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

“Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, potencoi.

Rrjedhimisht, Osmani, sipas Kupinës, do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”.

Çka ndodhi?

Pak ditë pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim dhe kështu e la Kosovën jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveria e Kosovës, të enjten, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Vetëm pak ditë pasi autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e KiE-së”, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draft-statut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres.

Marrë për bazë këtë hapë konkret, Gërvalla në letër ka potencuar se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Të fundit

Aktuale