Lajme

Kontrolli i Putinit mund të dobësohet përmes miqësisë mes Kosovës dhe Ukrainës, thotë Haradinaj


Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, gjatë vizitës së saj në Kiev të Ukrainës, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Ukrainës, mund të dobësojnë kontrollin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në rajon.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka potencuar se viza e saj në Kiev është bërë në cilësinë e ish-ministres së Jashtme të Kosovës.

“Shpreha bindjen se miqësia mes Kosovës dhe Ukrainës ka potencialin e madh për të dobësuar kontrollin e Putinit në rajonet tona, duke krijuar një rrugë drejt një të ardhmeje të përbashkët brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka shkruar ajo.

Ndërsa ka potencuar se popolli i Kosovës, vazhdon të qëndroj përkrah popullit të Ukrainës.

“Sepse e ndjen peshën e rëndë të luftës për liri e demokraci përballë barbarive të pafundme të Putinit”.

“Nënvizova faktin se ashtu si Ukraina, edhe Kosova po përballet dhe po i reziston suksesshëm ambicieve malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke shndërruar kështu vendet tona në mburoja kundër zgjerimit të ndikimit rus, dhe si kufij kritik për në sigurinë evropiane dhe transatlantike”.

Më 26 korrik, Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon e 11-të të sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Një pako të ngjashme ekzekutivi e kishte miratuar edhe me 10 maj.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Ndërsa, si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore