Film

Konsumizmi që përfshiu elitat në “The Menu”


Përplasje duarsh.

Për spektatorin dhe për shefat e kuzhinës.

Jemi në një restorant të krijuar nga asgjëja si vila luksoze e përshtatur për “Parasite” të regjisorit Bong Joon-ho.

“Hawthorne”, restoranti elitar (i nivelit më të lartë të gastronomisë molekulare) kishte mbërritur në aktin e tij final, shpërbërjen në kuptimin e fundmë të gjësë së gjallë.

Ky konsumizëm, më së pari kishte prekur vetë chef-in Julian Slowik (i portretizuar nga Ralph Fiennes) e do të përpinte në përmbyllje të gjithë të pranuarit në restorant të cilët përfaqësonin klasën e ashtuquajtur të lartë – prej vetes nga vetja – si shefat ndaj ushqimit dhe artistët ndaj kritikës.

Përveç të paftuarës, vajzës plangprishëse dhe skeptike Erin luajtur nga Anya Taylor-Joy.

E gjithë kjo shëmbylltyrë u hodh jashtë dritares së mërzitisë që ka përqafuar kinematografinë dekadën e fundit, referuar deklaratës së regjisorit Quentin Tarantino.

“The Menu” është krejtësisht e pasigurt në lokalitetin e zakoneve të njerëzve në sallë saqë krijon një ndarje “përbashkuese” mes kuzhinierëve (shpatull më shpatull) me tavolinat e klientëve që kthehen në vakte vetë-ushqyese.

Restoranti është toka që e banon me pak fjalë, e njerëzit janë gjuetia e preferuar e chef-it. Dikush përfaqëson ankthin, tjetërkush shtirjen e mbase i fundit një bezdisje të vazhdueshme si mungesa e muzikës në prapavijë.

Përplasje duarsh.

Në fakt, dhoma e ngrënies ndodhet buzë detit dhe menyja e shijimit e përgatitur me përpikëri ishte çmaterializuar nga historia e secilës pjatë jo vakt.

“The Menu”, thriller me nota të zymta humori, shërben jo vetëm pjata të paharrueshme – palcën e kockave dhe biftek të pjekur dhe fiston të sapokëputur të rregulluar me xhel dhe gurë të foragjeruar – por edhe komente rrëqethëse për klasën, idhujt dhe konsumin tek e fundit.

Imagjinoni një vend në ishullin Tybee të Georgia-s (SHBA) si një nga restorantet më ekskluzive të vendit.

I aksesueshëm vetëm me traget privat – largësia thekson izolimin dhe varësinë e klientëve.

Një ndërtesë moderne me mbulesën e saj të zezë dhe gur gëlqeror të bardhë, nga e cila të ndan një derë e kthyeshme (kërcënuese).

Përkundër gjithë drurit dhe myshkut, “Hawthorne” të krijon një ndjesi të ashpër, jo si shumë prej restoranteve që mund të gjeni në listën e 50 më të mirëve në botë.

Një krijesë e shtrenjtë që supozohet të kënaqë të gjitha shqisat e vizitorit luksoz, elitar.

Papritur, aneksi i vogël që përfaqësonte restorantin të ushqen ndjesinë e të qenurit në një burg, pa rrugëdalje dhe shpëtim.

Ky ishte thelbi i pezulltisë dhe shqetësimit brenda “Menysë”.

Përplasje duarsh.

Papritur, dëlirësia e bisedave mes të pangjashmëve (njëri-tjetrit) dhe të barabartëve për chef-in kthehet në një hapësirë tejet të kufizuar ku tensioni thyhet vetëm me komedi.

Dhoma e ngrënies, bashkangjitur me një kuzhinë të hapur, ndihmon për të nënvizuar ndarjen midis “dhënësve” dhe “marrësve”, ose atyre që ofrojnë punë dhe përvoja kundrejt atyre që konsumojnë kaq lehtë, shpesh pa menduar.

Mospërfillja, praktikisht që rrjedh nga chef-i ndërsa menyja përparon, shfaqet qartë për ato ulëse prej 1 mijë e 250 dollarësh për kokë.

Edhe përpara se pjatat të bëhen ogurzeza dhe të bëhet i qartë qëllimi dinak i chef-it për mbrëmjen, ka një ndarje.

Mund të ndiejmë praninë ushtarake ose kërcënimin ushtarak të kuzhinierëve në një metronom të pamëshirshëm që mund të konsiderohej kuzhina e Julian Slowik-ut.

Ky i fundit, nderohej si të kish ngritur një kult në mes të oqeanit, duke ngjallur një lloj përkushtimi fanatik të mbajtur nga dhe për kuzhinierët brenda një hierarkie kuzhine.

Në këtë perspektivë, darkuesit që pikënisin ushqyerjen si drekues vetëm sa i fetishizojnë ata.

Dikujt i shkatërrohet takimi i stisur i dashurisë, tjetërkujt i shkërmoqet prekja materialiste e realitetit, degdiset marrëdhënia epror-vartës e deri te kritika e tërthortë e një dysheje hilariteti.

Por, a mund të kthehet pjata në një restorant si “Hawthorne” dhe të përfundosh e flijuar me stomakun bosh.

Një gjest më shumë “amerikan” se sa duhet i jep fund dilemës së jetës.

Para se tretet ajri klaustrofobik i filmit, chef-i detyrohet të gatuajë një cheese-burger në mesin e kohështrirjes së jetës për t’u kthyer në pikën zero të karrierës.

Pa yndyrë, pa buzëqeshje as ngërdheshje, me eksperiencë përmbi supe dhe me sytë e mbushur nga lotët por të bindur ndaj klientit të paftuar, Erin (Anya Taylor-Joy).

Ky është i vetmi moment i filmit ku provohet intimiteti i të ushqyerit jashtë menysë në një restorant ku rëndësi ka vetëm menyja.

“The Menu” është koncepti, arsyeja dhe ekzistenca e jetës (njëkohësisht vdekjes) në ishull.

Përplasje duarsh.

“Hawthorne” u mbyll zyrtarisht.

Darkuesit ishin “ëmbëlsira për në fund”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore